“S’ka pajtim me Serbinë pa zbardhjen e fatit të të pagjeturve”

“S’ka pajtim me Serbinë pa zbardhjen e fatit të të pagjeturve”

Shoqata “Thirrjet e nënave” reagoi ndaj veprimeve të fundit të Qeverisë së Kosovës, në lidhje me përbërjen e delegacionit për bisedime me Serbinë, në Bruksel, me theks të veçantë rreth temës për personat e zhdukur, njofton Insajderi.

Kryetarja e kësaj shoqate, Nesrete Kumnova, tha se gjatë gjithë kohës kanë kërkuar që të përfshihen në delegacionin e bisedimeve me Serbinë për faktin se janë kategoria më e prekur dhe e anashkaluar gjatë gjithë procesit të zbardhjes së fatit të të pagjeturve.

“Pjesëmarrja jonë është e rëndësishme në këtë delegacion përballë Serbisë kriminale, e cila ende e mban peng politik, fatin e shqiptarëve të zhdukur, ndaj pjesëmarrja e familjarëve të cilët kanë qenë aktiv në këtë proces për dy dekada dhe vazhdojnë të jenë do t ‘ishte një grusht i madh për Serbinë dhe një forcë e shtuar për temat që do të shtrohen”, thuhet në deklaratën të nënshkruar nga Kumnova.

Ajo vijoi duke thënë se e kupton qëllimin e mirë të Qeverisë së Kosovës për mbylljen e bisedimeve por se nuk mund të pajtohemi me Serbinë pa u zbardhur fati i më të dashurve tanë dhe pa kërkuar falje për krimet e bëra ndaj civilëve shqiptarë.

“Kërkojmë nga Presidenti Thaqi, kryeparlamentarja Osmani dhe kryeministri Hoti, që të kenë kujdes dhe të mos nguten për finalizimin e bisedimeve me Serbinë, sepse nuk mbyllet kapitulli i luftës pa dhënë llogari pala pushtuese kriminale serbe, për krimet e kryera ndaj shqiptarëve të pafajshëm”, përfundon deklarata./Insajderi.com