“S’ka vota blanco nga PDK”

“S’ka vota blanco nga PDK”

“PDK nuk jep vota blanco për president, nëse nuk e ka kandidatin e saj”.

Ky është qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës, i shprehur edhe nga deputetja, Blerta Deliu, gjatë një interviste televizive, të enjten.

“Në momentin që kërkohet që ne të votojmë blanco për dikë, natyrisht që ne nuk do ta japim asnjëherë votën tonë si subjekt politik kur ky kandidat nuk do të jetë nga radhët e PDK-së”, tha ajo.

Deliu, theksoi se, “PDK ka figura të rëndësishme”, Por, ajo e kumtoi realitetin aktual politik. Çështja e propozimit të presidentit është në dorën e partive në pozitë. PDK nuk është prej tyre.

Për këtë ajo kërkoi një dakordësi dhe qartësi në pozicionin e partive në pushtet për pozitën me mandat pesë vjeçar të presidentit.

“PDK-ja natyrisht që në radhët e saj ka figura të rëndësishme. Ndonëse kjo çështje është kryekëput e partive në pushtet, atëherë i mbetet koalicionit qeverisës të ofrojë emrin, një dakordësi dhe të ketë qartësi lidhur me pozicionin e presidentit”, tha ajo.

Për postin e presidentit janë përmendur shumë emra, e disa të tjerë tashmë kanë shpallur kandidaturën.

Ramush Haradinaj, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, më 12 gusht, tregoi synimin e tij politik. Pozitën e Presidentit.

Por, grupi më i madh parlamentar, Lëvizja Vetëvendosje, nuk dëshiron të zgjidhet çështja e presidentit, pa shkuar vendi në zgjedhje.

Aktualisht këtë pozitë po e ushtron, Vjosa Osmani. Në mënyrë automatike sipas përcaktimeve kushtetuese mori detyrën pas dorëheqjes së Hashim Thaçit, shkak i aktakuzës nga Dhomat e Specializuara në Hagë. /Insajderi.com