Ndonëse e ka njohur Kosovën pak muaj pasi kjo e fundit shpalli pavarësinë, Mali i Zi vazhdon t’i referohet Kosovës herë pas here me fusnotë.
Ministrja e Shoqërisë Digjitale dhe Mediave në Mal të Zi, Tamara Srzentiq i ka bërë ftesë Ministres së Ekonomisë së Kosovës, Artane Rizvanolli, të marrë pjesë në Samitin Digjital të Ballkanit Perëndimor, i cili do të mbahet në Mal të Zi nga 11-13 tetor, duke shënuar Kosovën në të gjitha rastet – me një yll.
Mediumi “Antena M” shkruan se Mali i Zi nuk e shënon Kosovën me yll në dokumentet zyrtare, sepse “vetëm vendet që nuk e njohin Kosovën si shtet – e shkruajnë atë me një yll, ndërsa ata që kanë njohur pavarësinë e shkruajnë atë si çdo vend tjetër, pa asnjë etiketë”, transmeton Shqip.com.
Këtë veprim të ministres, mediumi malazez e ka quajtur “skandal politik”, duke thënë se “gabimi u përsërit”.
Për këtë, ende nuk ka reagim zyrtar nga Qeveria e Malit të Zi, e as nga ajo e Kosovës, ndonëse ftesa është bërë një muaj më parë, 4 gusht.
Kjo nuk është hera e parë që Mali i Zi i referohet Kosovës me fusnotë. Një gjë të tillë e pati bërë edhe vitin e kaluar Ministria e Shëndetësisë së këtij shteti, e cila më pas pati dalë me një reagim duke thënë se ishte “gabim teknik”./Insajderi.com