Zv/kryeministri e shefi i diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli nuk po e kalon aq mirë pjesëmarrjen në Asamblenë e OKB-së në Nju Jork.
Ditëve të fundit ai është parë shumë aktiv nëpër rrjetet sociale duke shkruar për takime me liderë të vendeve tjera.
Por në disa prej këtyre takimeve Pacolli po del se ka qenë i padëshiruar, shkruan Insajderi.
Një reagim të tillë të paktën e ka bërë përmes një postimi në Twitter kryeministri i Marokut, Saadeddine Othmani
Ai ka shkruar se zv/kryeministri i Kosovës është imponuar me prezencën e tij në këtë takim.
“Gjatë pushimit me delegacionin tim një zotëri nga Kosova na u imponua me prezencën e tij. Ne nuk kemi diskutuar marrëdhëniet bilaterale as vazhdimin e kontaktëve. Pozita e Marokut është e njëjtë. Maroku nuk e njeh Kosovën dhe nuk ka marrëveshje me të”, ka shkruar kryeministri Saadeddine Othmani në Twitter.
Por ky nuk ishte takimi i vetëm për të cilin Pacolli u kritikua shumë.
Ai në video të cilat u publikuan shihet duke vrapuar t’ia jap dorën presidentit të Amerikës, Donald Trump.
Madje i motivuar nga një gazetar i cili i thoshte: “jepja dorën, jepja dorën”
https://www.youtube.com/watch?v=kZw8GlJhFC0
Fillimisht Pacolli publikoi një postim në facebook ku shkruante: “kënaqësi ta takoj përsëri presidentin Trump”.
Por më pas e fshiu atë postim duke postuar një video, në të cilën shkroi: “kënaqësi t’ia shtrëngoj dorën presidentit Trump”.
Pacolli në korridoret e OKB-së u takua edhe me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiq.
Ministri i jashtëm i Kosovës Behgjet Pacolli i është afruar kryeministres serbe derisa ajo jepte intervistë për medie dhe ia ka shtrirë dorën.
Gjatë shtrëngimit të duarve, Bërnabiq ka pyetur prej kujt ka marr leje të qëndrojë në Kombet e Bashkuara.
“Kam marr leje prej juve”, i është përgjigjur Pacolli në gjuhën serbe, në çka Bërnabiq është përgjigjur: “Nuk është leja ime, sikur të më kishit pyetur mua…”
Më pas Pacolli ka komentuar: “Kjo është zonjë të cilën e respektojmë shumë”, dhe më pas kryeministrja serbe ka shkuar.
Ndryshe veç Pacollit, në Nju Jork janë duke qëndruar edhe presidenti Thaçi dhe kryeministri Haradinaj. /Insajderi.com