Publikimi i skandaleve të ndryshme në Kosovë dhe Shqipëri përpos që ka hedhur në dritë sistemet e korruptuara publike prej administratës deri në gjyqësor ka kaluar me reagime të ndryshme shoqërore sikurse protestat dhe aksione politike, por pa një revoltë të madhe shoqërore.
Kjo u dëshmua edhe me publikimin e skandalit të fundit të përgjimeve – ‘Dosja e Shefave’ nga gazeta Insajderi, që përkundër shpërfaqjes së aferave korruptive, pati vetëm disa protesta me pak protestues në numër.
E kjo mungesë e reagimit apo revoltës sociale, sipas dy publicistëve të njohur të jetës politike por edhe mediale në Kosovë e Shqipëri, publicistin Veton Surroi dhe Fatos Lubonja ka një domethënie.
Të pranishëm në një bashkëbisedim në kuadër të Festivalit Dokufest që po mbahet në Prizren, Surroi dhe Lubonja kanë dhënë versione të ndryshme pse shoqëria kosovare dhe ajo shqiptare heshtë dhe nuk revoltohet.
Sipas Lubonjës, shpresa e mbytur e shoqërisë se mund të ndryshojë dicka duke protestuar apo revoltuar rrjedh nga indiferenca e pushtetit ndaj fuqisë së popullit.
“Sistemi politik në Kosovë dhe Shqipëri ka krijuar indiferencë ndaj reagimit, protestës dhe revoltës. Në qoftë se bën një protestë dhe ta dëgjojnë, ti merr zemër. Thua: ja, ma dëgjuan. Grupe të rinjsh në Shqipëri kanë bërë protesta, por nuk janë dëgjuar”, ka thënë Lubonja, në Prizren.
Sipas tij, ky raport mes pushtetit dhe reagimit shoqëror do të vazhdojë përderisa njëra palë nuk vendos të nxisë një revoltë e cila mund të përfundojë në dramë.
Dramatike, si fund të gjendjes në Kosovë, e sheh edhe publicisti Veton Surroi sipas të cilit një lloj përmbysje duhet dhe do të ndodhë, sepse Kosova më nuk ka resurse për ata që e kanë kapur shtetin.
Sipas Surroit, nuk mjaftojnë as zgjedhjet e as Gjykata Speciale për të pastruar vendin nga të këqijtë, dhe sipas tij, duhet një lëvizje e brendshme. Por, kjo lëvizje e brendshme nuk ka ndodhur në shoqërinë kosovare përkundër shumë skandaleve dhe kjo sipas Surroit ka një shpjegim.
“Nëse ju rrahin në të njëjtin vend të dorës për një kohë të gjatë, më nuk do ta ndieni. Kosova është rrahur për një kohë të gjatë në të njëjtin vend dhe më nuk ndien. Shpresoj të mos vazhdojë më”, ka thënë Surroi.
Pas publikimit të një serie të përgjimeve nga Insajderi, ka reaguar edhe Shoqëria Civile e Kosovës, të cilët kanë organizuar disa protesta gjatë javës së fundit dhe kanë paralajmëruar se ato do të vazhdojnë. /Insajderi.com