Skandali i KEDS-it, fyen nismëtaret e protestës kundër shtrenjtimit të rrymës

Kompania për distrubuimin e energjisë elektrike – KEDS, është shprehur e habitur me thirrjen e një proteste kundër shtrenjtimit të rrymës, pasi dyshon se njerëzit që kanë thirrur këtë protestë kanë motive të tjera.

Me këtë njoftim për media, KEDS ka fyer protestuesit të cilët e kanë parë të padrejtë rritjen e çmimit të energjisë elektrike, gjatë muajve të fundit.

“Jemi të habitur që njerëzit që po thirrin për protestë ende e drejtojnë këtë protestë gabimisht ndaj nesh, duke vënë kështu në pikëpyetje motivin e vërtetë të saj”, thuhet në njoftimin e KEDS.

Në njoftimin e publikuar thuhet se KEDS-i nuk ka autoritet për përcaktimin e çmimit të energjisë elektrike, prandaj protesta e paralajmëruar është në adresë të gabuar.

“KEDS nuk ka autoritet për përcaktimin e çmimit të energjisë elektrike – protesta në adresë të gabuar. KEDS, si kompani që u nënshtrohet ligjeve të Republikës së Kosovës, ka për detyrim të zbatojë politikat e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike dhe nuk ka asnjë ndikim ose autoritet në përcaktimin e çmimeve të energjisë elektrike”, thuhet në njoftimin e tyre.

KEDS ka thënë se kjo kompani ka për detyrë vetëm shpërndarjen e energjisë elektrike dhe nuk ka pëgjegjësi rreth rritjes së çmimit të rrymës. /Insajderi.com