Skandali i LDK-AAK në ndërmarrjen publike në Ferizaj

Nënkryetari i degës së AAK-së në Ferizaj, Izet Rushiti ka dhënë dorëheqje nga pozita e asamblistit komunal në Komunën e Ferizajt pasi ndodhej në konflikt interesi. Rushiti, veproi kështu pasi ishte zgjedhur Kryeshef Ekzekutiv i Ndërmarrjes Publike "Ambienti" dhe gjendej në konflikt interesi për afër një vit.

Skandali i LDK-AAK në ndërmarrjen publike në Ferizaj

Nënkryetari i degës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Ferizaj, Izet Rushiti, në nëntor të vitit 2016 ishte vendosur në krye të ndërmarrjes Publike “Ambienti” në këtë komunë, ani pse ai në të njëjtën kohë ka qenë edhe asamblist komunal i koalicionit LDK-AAK.

Rushiti u zgjodh Kryeshef Ekzekutiv i kësaj ndërmarrje publike në vitin 2016, pavarësisht se e kishte të ndaluar me Ligjin për Ndërmarrjet Publike të emërohej në këtë post, pasi në të njëjtën kohë ka qenë edhe i zgjedhur i popullit në legjislativin komunal.

Sipas nenit 17 të këtij ligji që parasheh Kushtet e Kualifikimit dhe Përshtatshmërisë Profesionale për drejtuesit e ndërmarrjes publike, në krye të ndërmarrjes nuk mund të vie një person që “është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë (i) zyrtar i zgjedhur publik, (ii) i emëruar politik ose (iii) bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike”.

Rushiti që në zgjedhjet komunale të vitit 2013 ishte zgjedhur këshilltar komunal nga AAK-ja, edhe pas marrjes së drejtimit të ndërmarrjes në vitin 2016, nuk kishte hequr dorë, deri kur Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) e mori vendimin, në qershor të vitit 2017.

Ndërkaq, Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK), përmes një njoftimi ka bërë të ditur se Izet Rushiti ndodhej në konflikt interesi dhe se duhej të hiqte dorë nga njëra pozitë.

“Pas informatës së marrë nga raportuesi i rastit, Agjencia kundër Korrupsionit ka filluar hetime administrative për gjendje të konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik. Prandaj, zyrtari i lartë fillimisht është njoftuar me një shkresë zyrtare nga Agjencia kundër Korrupsionit, pas së cilës është organizuar një takim me zyrtarin e lartë”, ka njoftuar AKK.

Sipas AKK-së, Rushiti ka dhënë dorëheqje nga posti i anëtarit të asamblistit në Komunën e Ferizajt, raporton Insajderi.

“Gjatë këtij takimi Rushiti ka deklaruar se ka dhënë dorëheqje nga ky funksion publik – anëtar i Kuvendit Komunal në Ferizaj”, thuhet ndër tjerash në arsyetimin e Kundër Korrupsionit.

Pasi që Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) kishte pranuar dokumentin e dorëheqjes së Rushitit nga pozita e asamblistit, ajo e mbylli rastin ndaj tij.

“Mbyllet rasti për Izet Rushiti, Kryeshef Ekzekutiv në Ndërmarrjen Publike Lokale ‘Ambienti’-Ferizaj, për shkak se zyrtari i lartë ka dhënë dorëheqje nga funksioni Anëtar i Kuvendit Komunal në Ferizaj, prandaj është shmangur gjendja e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik”, thuhet në vendimin e Agjencisë kundër Korrupsionit.

Mirëpo AKK në vendimin e lëshuar me 12 qershor nuk ka treguar se nga cila datë ka dhënë dorëheqje Izet Rushiti, por vetëm se e ka mbyllur si rast dhe se mund ta hapë në çdo moment që mund të paraqiten fakte të reja.

Përgjegjësinë për funksionimin dhe emërimet në bordet e ndërmarrjet lokale i ka komuna. Ashtui siç në këtë rast përgjegjësia për këtë skandal i faturohet qeverisjes lokale. E Komuna e Ferizajt udhëhiqet nga Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK), e cila ka krijuar koalicion me AAK-në.

Emërimi i Izet Rushitit në krye të ndërmarrjes komunale “Ambienti”, ishte kritikuar nga organizata Jo-Qeveritare INPO në komunën e Ferizajt.

Sipas INPO-së ai ishte zgjedhur në këtë pozitë në mënyrë joprofesionale.

“Gjetjet tregojnë se përpilimi i testit me shkrim për të gjitha pozitat ka qenë joprofesional. Është kërkuar prej kandidatëve që  të shkruajnë ese për “Stinën e dimrit”, “28 Nëntorin” ose “Pavarësinë e Kosovës”, si dhe pyetje të tjera jo relevante për pozitat në të cilat kanë aplikuar kandidatët, është zgjedhur në këtë detyrë, ndonëse ka pasur pikë të barabarta me kandidatin tjetër”, thuhet në gjetjet e INPO-së. /Insajderi.com