Shefqet Hasimi është suspenduar sot nga puna në Avokaturën Shtetërore me një vendim të marrë nga ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha. Shkak për suspendimin nga puna të Hasimit, sipas vendimit të marrë nga ministrja Hoxha, është fakti se ai kishte kritikuar zyrtarët e lartë të AKP-së rreth çështjes së Hotelit Grand dhe rreth keqpërdorimeve të AKP-së për një parcelë tokë.
Një letër elektronike që avokati shtetëror Shefqet Hasimi i kishte dërguar zyrtarëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) – ku i kritikonte ata për keqpërdorime – i ka kushtuar atij me suspendim nga puna. Hasimi është suspenduar sot nga puna e tij në Avokaturën Shtetërore me një vendim të marrë nga ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha.
Shkak për suspendimin e Hasimit nga puna, sipas vendimit të marrë nga ministrja Hoxha, është fakti se Hasimi kishte kritikuar zyrtarët e lartë të AKP-së rreth çështjes së Hotelit Grand – rast që është në shqyrtim nga Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit (GJND).
“Z. Shefqet Hasimi, Avokat Shtetëror në Avokaturën Shtetërore të Ministrisë së Drejtësisë, pezullohet nga puna. Për faktin se tashmë ky rast [rasti i Hotelit Gradn v.j] është në kontest në arbitrazh ndërkombëtar dhe deklarimet e tilla(të pa argumentuara) të zyrtarëve shtetërorë, aq më tepër të institucionit i cili është përgjegjës sipas legjislacionit në fuqi për përfaqësim të Republikës së Kosovës në këtë procedurë të arbitrazhit, konsiderohen si shkelje serioze e dispozitave të cekura më lartë”, thuhet në vendimin e Ministrisë së Drejtësisë.
Insajderi ka siguruar vendimin e Ministrisë së Drejtësisë për suspendimin e Hoxhës, i cili është marrë sot me nënshkrimin e ministres Hoxha. Në vendim është publikuar edhe letra elektronike që avokati shtetëror, Shefqet Hasimi u kishte dërguar më 2 qershor të këtij viti, drejtorit menaxhues të AKP-së Ekrem Hajdarit dhe zëvendësdrejtorit menaxhues Avni Jasharit.
Në këtë e-mail të dërguar, Hasimi kritikon zyrtarët e lartë të AKP-së edhe për keqpërdorime dhe korrupsion me rastin e dhënies me qira të një parcele tokë.
“I nderuari z. Ekrem Hajdari, Drejtor Menaxhues Avni Jashari, zëvendës Drejtor Menaxhues në AKP, si që jemi infomuar se për 99 vite keni dhënë pesë hektarë tokë në UGLAR, Naim Berishës, këtë tokë e keni dhënë me qira për 99 vite që do të thotë se nuk është pronar juridik, por qira mbajtje shtrohet pyetja sipërdaqja përfshirë me AUTOSTRADË, ka bërë të pa mundshme zbatimin e kësaj kontrate kur një hektar është përfshirë në AUTOSTRADË. Shtrohet pyetja si mund të ndodhë, e ke dhënë me qira për një euro, e tani ekspertët kanë vlerësuar 52 euro, do të thotë 510 herë më shumë, të nderuar lidhur me këtë rast dhe të gjitha rastet tjera për keqpërdorimin e kësaj çështje që nuk keni marr veprim me BORDIN e AKP-së që ta rishqyrtojnë kontratat ku përfshihet interesi PUBLIK-SHTETROR”, shkruhet në e-mailin e Shefqet Hasimit, dërguar dy zyrtarëve të lartë të AKP-së.
Avokati shtetëror po ashtu u thotë zyrtarëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit se e kanë dëmtuar Kosovën edhe në rastin e Hotelit Grand, duke i paralajmëruar se ata mund të hetohen për këto keqpërdorime.
“Kemi shumë raste të njëjta ku dënohet buxheti i Kosovës, ju e dini se cfarë demi i keni shkaktuar edhe me Grand Hotelin dhe shumë shitje të tjera të LIGJSHME, nësë nuk ndërmerrni veprime ju do të jeni subject i HETIMEVE, kërkoj që së shpejti do të merr vendim BORDI I AKP-së”, thuhet më tej në e-mailin e Shefqet Hasimit, të dërguar më 2 qershor.
Ministria e Drejtësisë ka thënë se ndaj Shefqet Hasimit është inicuar procedurë disiplinore për shkak të shkeljes së ligjit, raporton Insajderi.
“Deklarimet e tilla me anë të e-mailit zyrtar të z.Hasimi e që sipas Ligjit nr. 04/L-184 për Adiministrimin e Punës në Zyrë, nenin 13 konsiderohet komunikim zyrtar, konsiderohen se janë në kundërshtim me Rregulloren nr. 04/2011 për procedurat disiplinore për shërbimin civil, neni 6 (shkelje serioze) paragrafi 1.10 I cili përcakton “shkelja e detyrave që bijen ndesh me interest e insitucinit apo veprimet që dëmtojnë insitucionin dhe organet e tjera shtetërore”, thuhet në vendim.
Ministria e Drejtësisë, në vendimin e marrë sot për pezullimin e Shefqet Hasimit, ka thënë se “në lidhje me të cekurat e lartshënuar ndaj z. Hasimi me anë të shkresës me nr të prot 01-3274 të datës 11.08.2017, është inicuar procedurë disiplinore, duke marrë në konsideratë nenin 16 të Ligjit nr.04 L-157 për Avokaturën Shtetërore.”
Sipas Ministrisë së Drejtësisë, ky vendim është marrë “me qëllim që procedura disiplinore e inicuar ndaj z. Hasimi të zhvillohet në mënyrë të papenguar dhe duke mos paragjykuar rezultatin procesit, u vendos si në dispozitivin e këtij vendimi.”
Rasti për të cilin Shefqet Hasimi kishte kritikuar Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP), ai i Hotelit Grand në Prishtinë, është duke u shqyrtuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit (GJND).
Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli ka paditur shtetin e Kosovës për këtë rast. Padia e kompanisë në pronësi të Pacollit, “MabCo Sontructions” ka paditur Qeverinë e Kosovës, përkatësisht Ministrinë e Drejtësisë. /Insajderi.com