Shërbimi Korrektues i Kosovës sot e ka ekspozuar para një rreziku të lartë, dëshmitarin e mbrojtur, Shkumbin Mehmeti. Ata e kanë futur Mehmetin në të njëjtin automjet transporti me Bedri Krasniqin, nga Burgu i Sigurisë së Lartë deri në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Gjatë transportit, dëshmitari Mehmeti, është kërcënuar nga Bedri Krasniqi, i dënuar me 27 vjet burgim për vrasjen e dy policëve: Sabahate Tolaj dhe Jusuf Haklaj, i dënuar për rrëmbimin e biznesmenit Azem Morina, si dhe i akuzuar për vrasjen e dy policëve të tjerë më 2004.
Krasniqi i ka thënë Mehmetit se “e di ku e ke familjen dhe e di adresën”, si dhe ka shtuar: “Nëse vazhdon të dëshmosh do të kesh pasoja”.
Në momentin që dëshmitari është futur në Gjykatë, ai ka kërkuar që procesi gjyqësor të shtyhet dhe të definohet statusi i tij; nëse është dëshmitar, apo në çfarë cilësie ishte ftuar.
Dëshmitari Mehmeti, në Gjykatë, ka deklaruar se gjithmonë gjatë transportit të tij nga burgu në spital apo në vende të tjera, i është veshur jelek anti-plumb. Ndërkaq, sot kur është futur në mjetin transportues me Bedri Krasniqin, atij nuk i kishin veshur jelek anti-plumb.
Mehmeti është ndjerë i kërcënuar dhe seriozisht i rrezikuar, sepse shteti e ka ekspozuar para një rreziku të lartë.
Insajderi mëson se Bujar Qadraku ka qenë shef i ndërrimit që ka organizuar transportin e dëshmitarit Mehmeti dhe Bedri Krasniqit në një automjet.
Transportimin e Mehmetit dhe Krasniqit me një automjet, e ka konfirmuar për Insajderin edhe Besian Syla, avokati i dëshmitarit të mbrojtur, Shkumbin Mehmeti.
Ai ka thënë se transporti i të dyve është bërë me të njëjtin automjet dhe se klienti i tij është ndjerë i kërcënuar shkaku i këtij fakti.
Shkumbin Mehmeti vuan një dënim prej 30 vjetësh për vrasjen e dy policëve, njëri i UNMIK-ut dhe njëri i Kosovës, pas një shkëmbimi zjarri afër Podujevës. Ai po ashtu është dëshmitar i mbrojtur i Prokurorisë Speciale.
Vitin e kaluar, në një paraqitje televizive ai ka dhënë disa dëshmi shokuese lidhur me krimet e pasluftës.
Mehmeti kishte pranuar se ishte pjesëtar i një grupi kriminal i cili kishte kryer krime të shumta pasluftës, përfshirë edhe vrasje politike për qëllime të themeluesve të tij. Mehmeti kishte thënë se një grup i rrezikshëm kriminal ishte formuar në fund të vitit 2001 në Kosovë.
Aktualisht ai mbahet i izoluar në burgun e sigurisë së lartë.
Ndërkaq, Bedri Krasniqi është duke vuajtur dënimin me burg për dy vrasje dy pjesëtarëve policorë të Kosovës; Sebahate Tolaj dhe Isuf Haklaj, në vitin 2003.
Për këtë vrasje, Krasniqi ishte dënuar me 27 vjet burg.
Krasniqi, po ashtu kishte qenë në krye të grupit që kidnapuan pronarin e fabrikës “Gllareva”, Azem Morinën. Kjo ngjarje ndodhi më 2010 dhe për kidnapim, Krasniqi u dënua me 17 vjet burg.