Skënder Hyseni: ShBA-të e përkrahin dialogun në Bruksel

Koordinatori shtetëror për dialog, Skënder Hyseni, gjate vizitës së tij në ShBA, ka takuar sot Zëvendës Asistent-Sekretarin për Evropë dhe Euroazi në Departamentin Amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, i cili është edhe Emisar Special amerikan për Ballkanin Perëndimor.

Skënder Hyseni: ShBA-të e përkrahin dialogun në Bruksel

Pas takimit me Matthew Palmer, Hyseni ka theksuar ShBA-të e përkrahin dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, dhe se Amerika do të jetë përkrahëse e fuqishme për një marrëveshje të drejtë e cila siguron paqe dhe qetësi në rajon, njofton Insajderi.

“Sot në Washington D.C. pata një takim të gjatë dhe përmbajtjesor me Zëvendës Asistent-Sekretarin për Evropë dhe Euroazi në Departamentin Amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, i cili është edhe Emisar Special amerikan për Ballkanin Perëndimor. Pasi e njoftova për rrjedhën e deritashme të dialogut në Bruksel, me Zotin Palmer bëmë një bisedë të hapur dhe shteruese me qellim të koordinimit me synimin që dialogu të marrë një dinamikë të re duke shtruar, pa u vonuar dhe pa zvarritje, për diskutim dhe akordim çështjen kryesore, marrëveshjen gjithëpërfshirëse për njohje reciproke dhe normalizim midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë”.

Më pas Hyseni për KlanKosova ka thënë se i ka kërkuar z. Palmer që ShBA të jetë aktive dhe të luajë një rol kyç në procesin e bisedimeve në Bruksel.

“Duke konstatuar dhe theksuar se krahas BE-së, roli I SHBA-ve në këtë proces është i pa zëvendësueshëm, me përulësi i kërkova Zotit Palmer praninë e përhershme aktive të SHBA-së në tryezën e bisedimeve në Bruksel”.

Skënder Hyseni, javë më parë është emëruar koordinator shtetëror për dialogun nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Kjo vizitë e tij në Washingon D.C. është në kuadër të aktivitetit të tij diplomatik për çështjen e dialogut./Insajderi.com