Skenderbeu luftoi kundër perandorisë që s’e lejoi Kuranin shqip

Skenderbeu luftoi kundër perandorisë që s’e lejoi Kuranin shqip

Prijësi arbënor Gjergj Kastrioti luftoi kundër perandorisë që nuk lejoi me shtypë asnji libër në gjuhën shqipe, madje as Kuranin. Shqiptarët, e veçmas besimtarët myslimanë, duhet ta dijnë këte.

Qe do fjalë për Skenderbeun, Perandorinë Osmane, shqiptarët e turqit, dhe miqsinë mes dy popujve:

Ndonëse u qujt historikisht edhe Turkí ose Perandoria Turke, Shteti Osman ishte zotnim vetjak i sulltanit, që shtypi popullin turk po aq sa lenitë tjera. Pushteti absolut i monarkut nuk arriti që zgjanimin e truellit dhe rritjen pasunore ta kthente në zhvillim të qëndrueshëm njerzor, ndërsa mungesa e lirisë dhe korruptësia shkatërruen perandorinë nga mbrenda. Shteti Osman humbi hapin e mbrothsisë me Evropën perëndimore, tue lanë në terr popullin pa dallim kombsie.

Por edhe si komb më vete, shqiptarët kanë arsye që s’e kujtojnë për të mirë Perandorinë Osmane. Përkundër pandehjeve se osmanët shpëtuen Shqipninë, ata në të vërtetë e shkatërruen ate. Shqiptarët në shek. XV mposhtën vetë Venedikun e u përballën dhe me sërbët, që kishin lidhë aleancë me osmanët. Me të marrë Shkodrën më 1479, ushtarët e sulltanit i dhanë fund Shtetit t’Arbënit dhe lirisë së kombit tonë.

Në pamundësi me mbajtë rend në viset e thella malore, osmanët i lejuen shqiptarët të ndiqnin doket e lashta të vendit, por ligjvenës e gjyqtarë në fusha e qytete u banë njerzit e padishahut. Gjatë shekujve vijues, i vetëshpalluni perandor romak pengoi në çdo mënyrë ringjalljen e shtetit arbënor: shujti kryengritje të njipasnjishme, shpartalloi pashallëqet e Shkodrës e Janinës, luftoi qeverinë e Prizrenit e shkagoi çdo kërkesë të rilindasve për vetëqeverimin e Shqipnisë dhe për të drejtat e kombsisë shqiptare. Madje vetë sulltani u fali toka arbënore krajlive fqinje, ndërsa u dhuroi pushtet pakicave sllave e greke mbi shqiptarët shumicë.

Njilloj i hidhun asht edhe tregimi për evropianët që i shërbyen sulltanit. Për ta mbajtë gjallë pushtetin e pakufizuem prej despoti, sulltani filloi me mbledhë fëmijë të krishtenë nga trevat e pushtueme dhe me i rritë ata si shërbëtorë besnikë e të ndigjueshëm. Të shkëputun nga lidhjet familjare e kombtare, këta djem e vajza s’kishin rrugëdalje tjetër pos t’i bindeshin vullnetit të padishahut, që me skllevnit e vet në detyra të nalta shtetnore ua mehte fuqinë pinjollëve të familjeve të fuqishme turke. Pak ditë mbasi pushtoi Konstandinopojën, Mehmeti II i preu kokën kryevezirit Halil Pasha nga dera e Çandarlijve turq dhe emnoi në vend të tij Zaganos Pashën ballkanas. Aq i vetëdijshëm qe Zaganosi për prejardhjen e tij, saqë historianët e mbajnë herë për arbënesh, herë për grek e herë për sllav! Tue njehë pastaj dhe kryeministrat tjerë, s’e gjejmë dot sakt as sasinë e as cilsinë e arnautëve që drejtuen qeverinë e sulltanit.

Ndërsa vijonte kalbja nga mbrenda e perandorisë, popujt shqiptar e turk lëngonin nga shtypja e paditunia. S’asht e rastit që u desh t’arrijë fundi i shekullit XIX që Sami Frashëri të hidhte themelet e gjuhëve moderne turke e shqipe, ndërkohë që evropianët i kishin përsosë të tynet qinda vjet ma parë. Aq ma pak, s’qe punë fati që Samiu e dy vllaznit e tij, Abdyli e Naimi, u shuen heret (53 a 54 vjeç), mbasi kaluen vite të përndjekun në burgje e syrgjynime. Shqiptarët janë krenarë që kanë nji figurë si Samiu, i cili na lidhë fort dhe me popullin turk. Por nuk mund të jemi krenarë për Perandorinë Osmane, që nuk lejoi shum e shum Sami të tjerë — shqiptarë e turq — të lulzonin gjatë historisë.

Nuk ka se si ta qujmë të virtytshëm nji shtet që, tue ra pre e tekave të pushtetarëve dhe grave të haremit, luftoi me aq verbëni dijet e artet. Ndërkohë që hoxhët e korruptuem e qujshin shtypshkronjën e Gutenbergut vegël të djallit, në Perandorinë Osmane nuk u shtyp asnji libër për myslimanët deri në shekullin XVIII. Gati 300 vjet mbasi kishte dalë nga shtypi Bibla e parë, nji shërbëtor hungarez ia theu mendjen sulltanin ta miratonte shtypin për botime shekullare. Por magjari s’e mori pëlqimin e padishahut për ta shtypë Kuranin fisnik, e as që arritën ta bindin ndonjiherë shqiptarët mbretin e «tyne» t’u lejonte shkolla e libra në gjuhën shqipe. Para fundshek. XIX, në Shqipninë e pushtueme, s’u botu tjetër pos veprash të krishtena që numëroheshin në gishta. Ndërsa kur ra sundimi osman, shumica dërmuese e popullit, si në trojet tona, ashtu dhe n’Anadoll, nuk dinte shkrim e lexim. Ma e përshtatshme s’ish as gjendja e amvisnisë, teksa në Shqipninë Londinare të 1913-s s’kish qoftë nji kilometër hekurudhë. Paratë e tatimpaguesve shqiptarë kishin përfundue në sarajet e Stambollit o në buxhetin e nizamëve, që Porta e Naltë i dërgonte tek ne për të shue kryengritje a për të mbledhë me dhunë dhe ma shum haraç.

Mbresat tona për sundimin osman nuk janë të huquna e as të painformueme sa t’u japin shkas akademikëve të huej të na i rimësojnë thelbsisht ngjarjet e asaj periudhe. Por ka shumçka në historinë e Turqisë që mbetet rrëfim i pandigjuem për shqiptarët. Dhe jam i bindun se popullit tonë do t’i pëlqenin ma shum ato kallzime sesa lavdet për Muratët e Mehmetët. E kaluemja jonë na lidhë me fort me turqit oguzë, që lëshuen tokat e të parëve jo për t’u ba pushtues, por pse s’duronin vetë egërsinë e pushtuesve mongolë. Shteti i karamanëve që sundojshin në brigjet e Mesdheut, ushtarët turq të Tamerlanit që zunë rob Sulltan Pajazitin I dhe mposhtën Llazareviqin n’Ankara, apo fshatarët xhelalij t’Anadollit që çuen krye për tokën e bukës janë pjesë e ndritun e historisë turke që dojmë me ndigju. Shto këtu dhe tregimin për reformatorin turk Safet Pasha që më 1880 e luti sulltanin por s’ia mbushi dot mendjen të hapte shkolla në Shqipni.

Për t’i shënue drejt këto ngjarje fisnike, pena e historisë do të zbehte patjetër namin e perandorisë, tue ia njehë të metat halifit dhe shtetit që ai e sundoi. Do ta hapte madje shtegun, kjo penë, që dijetarë e udhëheqës politikë të shohin ma thellë në vorbullën e historisë, tue njoftë dhe çmue luftën e drejtë t’atyne që si Gjergj Kastrioti mbrojtën lirinë e popullit ndaj tiranisë së perandorit. Vështrimi i urtë do t’u hidhte dritë edhe anadollakëve skamnorë që rrokën armët ndaj pushtetit plaçkitës, pa u habitë nga vërejtjet e nji veçuesi fesh se kryerebeli Xhelal paska qenë alevi ose «jobesimtar». Sepse në fund, kallzimi për popullin, e jo për prijësin a fenë, do të bahej matësi i historisë.

— shkëputë, me ndryshime të vogla, nga eseu i Getoar Mjekut «Përtej Dovletit Osman», shtator 2013, http://pli.si/1OcyoTI