Shkruan: Arben Berisha Fitorja e madhe Kosovës ndaj Bullgarisë në kualifikimet për EURO 2020, vetëm sa e kon" />

S’na duhet stadium i ri – Ta rrisim “Fadil Vokrrin”

S’na duhet stadium i ri – Ta rrisim “Fadil Vokrrin”

Shkruan: Arben Berisha

Fitorja e madhe Kosovës ndaj Bullgarisë në kualifikimet për EURO 2020, vetëm sa e konfirmoi se seria impresive e Dardanëve pa humbje nën udhëheqjen e Bernard Challandes nuk ka qenë asnjëherë e rastësishme. Të rastësishme s’kanë qenë edhe ato fitore ndaj ekipeve “të vogla” në Nations League, sepse shumë shpejt, këtë vit u vërtetua me paraqitje e rezultate të mira edhe ndaj kundërshtarëve mbi nivelin tonë, të paktën në letër.

Por loja, forma, rezultatet nuk janë shqetësimi ynë, të paktën jo i momentit. Sepse, ato nëse në ndonjë rast do të mungojnë, do të rikthehen menjëherë, meqë tashmë Kosova ka identitet në lojën e vet, ka koncept e ide të lojës, e ç’është më e rëndësishmja ka të ardhme, ose të paktën e premton atë.

Duhet të brengosemi se si do t’i menaxhojmë gjithë ato qindra-mijëra kërkesa për bileta për një lojë të vetme, të cilat nga shtatori e tutje do të shënojë rritje. Dhe për këtë, fatkeqësisht për shkak të faktorit kohë, nuk do të mund të bëhet asgjë kaq shpejt.

Fortesa e pamposhtur e Dardanëve, stadiumi “Fadil Vokrri” ka pothuajse një vit që nuk ka përjetuar humbje. Por, përpos kësaj, zhvillimi i ndeshjeve në këtë stadium, të cilit qysh tani emërtimi i tingëllon klasik, është shndërruar në një ritual shpirtëror i gjithë atyre që përveç që duan të shohin futboll, edhe po i mbush shpresë se, megjithatë, këtu ia ven të jetohet, pavarësisht zhvillimeve tjera tejet negative në vendin tonë. Paramendoni vetëm 13 mijë vende për t’i akomoduar dhjetëra-mijëra kërkesa për një ndeshje.

Ky interesim i madh, ka vërtetuar një gjë: Kosova nuk ka nevojë për stadium të ri, por ka nevojë ta shtojë kapacitetin në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Qysh tash mund ta ndjejmë se çfarë problemi do të jetë kërkesa e madhe për bileta para ndeshjes së shtatorit kundër Çekisë, ku gjithsesi edhe pozita momentale në grup e bën të veten.

Do të ishte, të paktën në planin afat-mesëm, e panevojshme të mendohet për ndërtimin e një stadiumi të ri, sepse ai, përveç që do ta rëndonte buxhetin tonë për dhjetëra-miliona euro, në planin praktik ai do të ishte jashtëzakonisht pak i shfrytëzuar. E në rast se do t’i jepej ndonjë klubi nën menaxhim, sërish e palevërdishme që ai shfrytëzonte një stadiumi me kapacitet prej 25-30 mijë ulëse, kur nuk do të mund t’i mbushte tribunat e tij as 10 për qind ndoshta.

Tjetra, e kuptueshme që ky stadium i ri nëse do të ndërtohej, do të përdorej përveç ndeshjeve të reprezentacionit, edhe për finale të Kupës, Superkupë a takimet e barazhit. Por “suma sumarum” numri i takimeve në vit që do të luheshin në të vështirë se do të mund të ishte dyshifror, ndërkohë që për një stadium të tillë mirëmbajtja do të duhej të ishte e përhershme edhe kur ka mungesë të aktiviteteve.

Sigurisht se ai do të mund të shfrytëzohej edhe për organizimin e koncerteve të mëdha, por kur për herë të fundit në Kosovë u organizua koncert i madh që do të kërkonte kapacitet të tillë? (të mos i llogarisim koncertet e Rita Orës e Dua Lipës, sepse ato kishin dimension tjetër).

Pra thjeshtë, stadiumi i ri nuk do të na levërdiste ekonomikisht. Në planin praktik ndërkaq, spektatorët nuk do ta kishin as dëshirën, as diponimin dhe as komoditetin e njëjtë sikurse ta shikonin një ndeshje në stadiumin “Fadil Vokrri. Sepse në Prishtinë, ku shumica edhe punojnë,  qasja është fantastike nga qyteti në të.

Për më tepër se sa vështirë është të organizohet një ndeshje jashtë Prishtinës, ku edhe tribunat nuk do të ishin krejt të mbushura, është parë edhe në të kaluarën, me rastin e fundit në miqësoren kundër Letoninë më 2017 në Mitrovicë. Sigurisht në këtë përbëjnë përjashtim dy takimet që i kemi luajtur ndaj Haitit dhe Turqisë, në kohën kur s’kemi qenë ende të pranuar ndërkombëtarisht, por tash jemi liruar nga ky kompleks dhe se më nuk shkohet me qëllim e kërkesa të njëjta në stadium. Tash shkohet , përveç për të parë lojë, edhe për të kërkuar rezultat, sepse është evidente që ai është i mundshëm.

Dhe për fund, qysh tash mund ta ndjejmë se kjo do të ishte top-tema vitin tjetër, nëse Kosova do të kualifikohej në Kampionatin Evropian. Pra nevoja për më shumë ulëse. E ne asnjëherë s’duhet ta harrojmë ndjesinë, afërsinë e kënaqësinë që po na jep stadiumi “Fadil Vokrri”. Ai duhet të mbetet tempulli ynë i futbollit. Për më tepër, koha prej marsit deri në shtator 2020, kur Kosova s’ka ndeshje të aranzhuar në shtëpi, do të ishte e mjaftueshme që të rritej ky kapacitet, që pastaj në shtator të rivendoseshim me një pritje madhështore në shtëpinë e rindërtuar për arritjen e pritshme madhështore të dardanëve – kualifikimin në EURO.