Biden vs. Trump

Sondazhet dhe modelet: Një Përpjekje për të parashikuar rezultatet zgjedhore

Po ku mund të gabojnë modelet? Modelet janë pasqyrime të thjeshtëzuara të realitetit, të cilat kërkojnë ta shpegojnë dhe/ose parashikojnë duke u bazuar mbi një numër të kufizuar ndryshoresh/ndodhish. Por jeta socio-ekonomike është shumë më komplekse se sa cilido model dhe ndodhitë/ngjarjet/rezultatet zgjedhore ndikohen nga një pafundësi faktorësh të cilat një model nuk mund t'i përmbledhë nëse do të jetë i përdorueshëm.

Sondazhet dhe modelet: Një Përpjekje për të parashikuar rezultatet zgjedhore

Autor: Ridvan Peshkopia

Në këtë stinë elektorale me shtrirje globale, ajo çka konsumatorët e mediave konsumojnë janë rezultatet e sondazheve. Dhe ndonëse sondazhet shpesh janë parashikues të këqinj të rezultateve zgjedhore, thjeshtësia dhe madje mënyra bastore me të cilët ata parashikojnë rezultatet zgjedhore i bën zgjedhjet po aq tërheqëse sa ndeshjet e futbollit, boksit, garat e kuajve, qenve, ndeshjet e gjelave etj. Por shpesh sondazhet gabojnë dhe mbas zhgënjimeve të tilla, njerëzit kruajnë kokën dhe pyesin: Çfarë ndodhi? Në fakt asgjë nuk ndodhi me përjashtim se ti ngatërrove retë me shiun: thjesht se në qiell kishte re, nuk do të thotë se do ketë medoemos shi. Që avullimi të shndërohet në kondensim duhen edhe ndryshore të tjera (rryma ajri me temperatura të ndryshme, ngarkesa elektrike), bash ashtu si edhe që qëndrimi politik (mbështetja politike që njerëzit deklarojnë në sondazhe) të shndërohet në sjellje politike (një votë aktuale) duhen një numër ndryshoresh në lojë, të cilat sondazhet mund të mos i kenë kapur për arsye të ndryshme. Sondazhet janë përgjigja jonë ndaj mosdijes, ndaj dëshirës tonë përvëluese për të parë apo ditur ato çka nuk mund t’i shohim apo dijmë. Sondazhet janë një mënyrë e jona për të parashikuar të ardhmen. Por sondazhet, ndonëse po sofistikohen vazhdimisht metodologjikisht dhe teknologjikisht, vazhdojnë të mbartin kufizime të pafundme e të shumëanshme.
Në thelb, sondazhet elektorale janë një mjet jo i mirë për parashikimin e rezultateve zgjedhore sepse sondazhet masin mbështetje në një çast të caktuar, opinion dhe jo fakte. Po ashtu, këto sondazhe janë fotografi të mjegullta të realitetit në një çast të caktuar. Kur shoqëritë janë të polarizuara dhe kur opinionet kanë pasoja, njerëzit priret t’i fshehin qëndrimet dhe sjelljen e tyre politike. Po ashtu, nga ata që përgjigjen, ne nuk mund të dijmë se cili shkon të votojë dhe cili nuk shkon. Dhe tjetra, në qëndra të mëdha urbane, sondazhet mund të mos jenë në gejndje të kapin kategori shoqërore që janë në periferi të shoqërisë. Gabime të vogla dhe shpesh të papërfillshme apo edhe kushte socioekonomike jashtë kontrollit të sondazhuesve mund të krijojnë deformime të tilla në rezultatet e sondazhit sa t’i bëjnë ato rezultate të papërdorshme.
Modelet, nga ana tjetër, mbështeten në inferim nga faktet nga e kaluara. Këto fakte, ndodhi historike apo kushte socioekonomike, është treguar se ndikojnë në mënyrën se si njerëzit votojnë. Ja një model i tillë që favorizon Trampin kësaj rradhe, psh: Një analizë e 100 vjetëve të fundit tregon se kur ka protesta paqësore para zgjedhjeve, demokratët fitojnë. Por kur para zgjedhjeve ka protesta të dhunshme, fitojnë republikanët. Këto modele strukturore shkojnë përtej opinioneve të individëve dhe ato nuk mund të manipulohen me fushatë. Opinionet manipulohen me fushatë por jo të dhënat strukturore si për shembull ekonomia, a është vendi në luftë apo jo, nivelet e krimit, etj. Një model tjetër thotë që asnjë president që ka pasur papunësi më të vogël se 6% nuk e ka humbur rizgjedhjen. Tani, të shohim se si do ta perceptojnë njerëzit papunësinë aktuale më të lartë se 6% në ShBA, pasi ajo është imponuar artificialisht nga masat antikovid .
Një model shumë i rëndësishëm dhe i saktë është ai i votave primare i shkenctarit politik Helmut Northop (http://primarymodel.com/). Sipas këtij modeli, ai kandidat që ka më shumë vota në zgjedhjet primare i fiton ato. Ky model ka dalë i gabuar vetëm dy herë gjatë 104 viteve të fundit (i ndërtuar me të dhëna qysh nga viti 1912, kur zgjedhjet primare u zbatuan për herë të parë në ShBA) dhe kësaj rradhe i jep Trampit 91% gjasa fitoreje. Sipas këtij modeli, kandidati që merr më shumë vota gjithsej në garën brenda partisë së vet, fiton zgjedhjet e përgjithshme presidenciale (Trampi ka marrë thuajse dyfishin e votave të Bajdenit në zgjedhjet primare). Po ashtu, sipas këtij modeli, kandidati që merr më shumë se 75% të votave të partisë së vet në zgjedhjet primare, fiton garën presidenciale (Trampi mori 94% të këtyre lloj votave ndërsa Bajdeni mori rreth 50%).
Modeli tjetër i cili po ashtu parashikoi humbjen e Hilari Klintonit në 2016 quhet 13 Çelësat për në Shtëpinë e Bardhë [13 Keys to the White House] nga historiani Allan elLichtman (https://pubsonline.informs.org/…/orms.2020.05.11/full/). Ai model ka 13 ndryshore socio-ekonomike ku, nëse 6 ose më shumë prej tyre nuk plotësohen, partia që e ka Shtëpinë e Bardhë e humb atë. Pra, ky sondazh nuk mat në mënyrë të drejtpërdrejtë rezultatin e kandidatëve por rezultatin e partisë e cila aktualisht ka Shtëpinë e Bardhë. Ky model parashikoi saktësisht humbjen e demokratëve në 2016 por këtë vit autori ka parashikuar humbjen e Trampit. Sidoqoftë, unë e kam parë modelin dhe ai realisht favorizon Trampin, por autori i interpreton gabim, sipas mendimit tim, ndryshoret. Për shembull, ndryshoren “president karizmatik” autori e vendos kundër Trampit (sipas tij, Trampi nuk është karizmatik) dhe këtu mendoj se autori gabon (autori është demokrat dhe, për fat të keq, kësaj rradhe ka lejuar që ndjenjat e tij partizane t’i mjegullojnë gjykimin objektiv shkencor). Po ashtu, autori vendos kundër Trampit rezultatet ekonomike afatshkurtra apo afatgjata të vendit të cilat, sipas edhe shumë prej kundërshtarëve të Trampit, shkojnë në favor të tij. Pra, teksa modeli është i mirë, autori e keqinterpreton atë.
Por a janë modelet strukturorë ata parashikues magjikë që ne do të donim të ishin? Siç e thashë edhe më herët, ndryshoret e modeleve strukturorë nuk bazohen mbi opinionet e individëve por mbi faktorë të caktuar socio-ekonomikë jashtë kontrollit të individëve dhe ndaj të cilëve koha ka treguar se njerëzit reagojnë elektoralisht sipas një mënyre apo sipas një tjetre. Dhe koha ka treguar se modelet janë të gabueshëm.
Po ku mund të gabojnë modelet? Modelet janë pasqyrime të thjeshtëzuara të realitetit, të cilat kërkojnë ta shpegojnë dhe/ose parashikojnë duke u bazuar mbi një numër të kufizuar ndryshoresh/ndodhish. Por jeta socio-ekonomike është shumë më komplekse se sa cilido model dhe ndodhitë/ngjarjet/rezultatet zgjedhore ndikohen nga një pafundësi faktorësh të cilat një model nuk mund t’i përmbledhë nëse do të jetë i përdorueshëm. Kësisoj, gabimi në shpegim dhe/ose parashikim ndodh kur në ndërtimin e modelit nuk janë marrë parasysh faktorë socio-ekonomikë të fuqishëm të cilët mund të ndikojnë, por për arsye të ndryshme nuk janë përfshirë në model. Kësisoj, modelet e mirë japin parashikime shoqëruar me probabilitetet e ndodhisë, ashtu si Modeli i Primareve të Northop-it, i cili jep 91% gjasa (probabilitet 0.91) që Trampi fiton zgjedhjet e presidenciale në ShBA, të cilat mbyllen sot. Kësaj rradhe, një ndryshore e tillë është pandemia. Kurrë më parë zgjedhjet presidenciale në SHBA nuk u zhvilluan në kushte të tilla pandemike (apo në një reagim të tillë politik ndaj pandemisë) si kësaj rradhe dhe ne nuk mund ta modelojmë faktorin pandemik në këto zgjedhje.
Një shënim personal: Në jetën time profesionale unë zhvilloj sondazhe të opinionit publik dhe ndërtoj modele si me të dhënat e tyre, ashtu edhe me të dhëna strukturore socio-ekonomike. Me dhjetra prej tyre janë botuar apo janë në proces botimi nga xhornale akademike ndërkombëtare nga më të mirat në disiplinat apo nëndisiplinat e shkencave shoqërore. Disa prej tyre i gjeni edhe si postime të mijat në fb. Por unë nuk adhuroj as sondazhet e as modelet: seicili prej tyre ndihmon në kuptimin tonë të aspekteve të ndryshme të jetës shoqërore. E megjithatë, tashmë është diçka shumë e njohur në profesionin tim se studiuesit socialë preferojnë modelet ndaj sondazheve sepse modeli priret të sillet si një film ndërsa sondazhi është vetëm një fotografi e realitetit. Shpesh studiuesit përpiqen ta përfytyrojnë realitetin duke u nisur nga ajo foto e vetme por kjo bëhet kryesisht nëpërmjet hamendësimit dhe spekullimit dhe kësisoj, preferencat personale apo dija e kufizuar çojnë në përfundime të gabuara. Shkenca sociale është një sport i vështirë. Sipas studiuesit politik Xhef Gill [Jeff Gill], shkencat sociale dhe jo shkencat natyrore janë shkencat e vështira. Dhe e vërtetë, ndryshe nga studiuesit e planetëve apo kimikateve, studiuesve shoqërorë u duhet të përleshen me një fenomen të tillë unik, misterioz dhe të paparashikueshëm siç është ndërgjegja njerëzore.
Ky ishte vetëm një rishikim shumë i përmbledhur dhe i kursyer i natyrës dhe rolit të sondazheve dhe modeleve në studimin/parashikimin e ndodhive socio-ekonomike dhe politike, siç janë zgjedhjet presidenciale që mbyllen sot në ShBA. Duke pasur parasysh rezultatet e sondazheve dhe parashikimet e modeleve ekzistuese, unë parashikoj një rizgjedhje të Presidentit Tramp (gjasat e zgjedhjes së tij janë më të mëdha se gjasat e humbjes).

Ridvan Peshkopia është Lektor i Metodave Kërkimore në Universitetin për Biznes dhe Teknologji në Kosovë. Ai ka doktoraturën në shkenca politike nga Universiteti i Kentakit në ShBA dhe ka qenë studiues post-doktoral në Universitetin Xhorxh Uashington. Fusha e tij e hulumtimit shtrihet gjerësisht në modelimet matematikore dhe statistikore të sjelljes politike.