Sot 22 vjet nga masakra në Izbicë

Sot 22 vjet nga masakra në Izbicë

22 vjet kanë kaluar nga masakra e Izbicës, ku më 28 mars 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe pas rrethimit të mijëra civilëve të këtij fshati dhe vendbanimeve përreth, veçuan 147 burra të rinj dhe pleq, të cilët i vranë dhe i masakruan, ndërsa pjesën tjetër e dëbuan jashtë Kosovës, transmeton Insajderi.

Masakra e Izbicës njihet si një ndër krimet më të rënda të Serbisë, ku vrasja masive, përdhosja e trupave dhe varrimi i tyre, përmes pamjeve satelitore, u bë lajm botëror.

Sot 22 vjet pas këtij krimi askush nga autorët dhe ekzekutuesit serbë nuk doli para drejtësisë vendore dhe asaj ndërkombëtare.

Komuna e Skenderajt në bashkëpunim me Shoqatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të organizojë sot homazhe për nder të këtij përvjetori të kësaj masakre.

Homazhe në Kompleksin e varrezave të dëshmorëve dhe martirëve në fshatin Izbicë, do të bëjë edhe u.d Presidenti i Kosovës, Glauk Konjufca. /Insajderi.com