Sot bota ‘sillet’ rreth Kosovës

Sot bota ‘sillet’ rreth Kosovës

Sot me 21 shtator Let’s Do It (Ta Pastrojmë Kosovën) do ta udhëheq Ditën për Pastrimin e Botës, pas disa muajve koordinim të Fushatës për aksion më të madh qytetar kundër mbeturinave.

“Ekipi i Kosovës, në bashkëpunim me ekipin nga Estonia do t’i udhëheqin aksionet në 157 shtete të botës me aktivitete pastrimi.

Kosova, si shembull i suksesshëm në organizimin e fushatave, ideve dhe aktiviteteve kreative, tërhoqi vëmendjen në të gjithë botën, andaj ju besua koordinimi që të bëhet Qendra e Botës për të gjitha shtetet në aktivitetin e pastrimit.

Aktivitetet e Ditës së Pastrimit të Botës do të pasqyrohen përmes një transmetimi drejtpërdrejt 24 orësh që do të shfaqet në rrjetet sociale dhe në kanalin e katërt të Televizionit Publik të Kosovës.

Gjatë 21 shtatorit, mbi 157 shtete të ndryshme të botës do të raportojnë në Qendrën e Let’s Do It në Kosovë për aktivitetet që organizojnë në shtetet e tyre”, thuhet në njoftimin për media.

Kosova ka krijuar Qendrën e Thirrjeve, e cila do të operojë në Shkollën Finlandeze në Kosovë, dhe do të nisë punën sonte, në mesnatë deri nesër, kur edhe do të përfundojnë të gjitha aktivitetet që organizohen në kuadër të Ditës së Pastrimit të Botës.

Për këtë, sot u mbajt edhe një konferencë për media, në të cilën morën pjesë drejtori i Fushatës për Ditën e Pastrimit të Botës, Luan Hasanaj, udhëheqësja e Rrjetit Global “Let’s Do It Ëorld”, Heidi Solba dhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Kosovës, Fatmir Matoshi, të cilët u bënë thirrje të gjithë njerëzve që të bashkohen në aktivitetet për pastrimin e botës.

Përmes fushatës për Ditën e Pastrimit të Botës, ekipi i Let’s Do It Kosova ka promovuar vazhdimisht vlerat dhe pasuritë natyrore të shtetit të Kosovës në 157 shtete të ndryshme të botës.

Kosova koordinon aktivitetin “Për një Botë më të Pastër.