Sot dalin para gjykatës shtatë të arrestuarit gjatë aksionit në Lipjan

Sot dalin para gjykatës shtatë të arrestuarit gjatë aksionit në Lipjan

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot, e mërkurë, do të mbahet seanca gjyqësore për shtatë të arrestuarit në aksionin e së hënës në Lipjan, ku u gjetën dhe konfiskuan 400 kilogramë substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë.

Lajmin për mbajtjen e seancës për Gazetën Online Insajderi e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

“Po, seanca për shtatë të arrestuarit do të mbahet sot, në orën 10:30”, ka thënë Gashi.

Prokuroria Speciale ka bërë kërkesë për paraburgimin e personave në fjalë, nën dyshimet se të njëjtit kanë kryer veprat penale: “Pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, dhe “Mbajta ne pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Gjatë ditës së hënë, Policia e Kosovës pas një aksioni të përbashkët me autoritetet e Shqipërisë, Italisë dhe DEA amerikane kanë sekuestruar 400 kilogramë kokainë në Lipjan dhe kanë arrestuar shtatë persona./Insajderi.com