Enver Xhokli dhe Fidan Fashi, të lënduar nga shpërthimi i bombolës së gazit që ndodhi gjatë kësaj jave në Ferizaj, pritet që sot të dërgohen për shërim në Vjenë të Austrisë, njofton Insajderi.
Kështu ka bërë të ditur për Gazetën Online Insajderi kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu.
“Sot ata udhëtojnë në Vjenë në orën 13:40. Janë bërë të gjitha përgatitjet nga Ambasada e Austrisë dhe Ministria e Shëndetësisë. Katër nga të lënduarit tashmë gjinden në një klinikë në Stamboll, ndërsa këta dy do të dërgohen në Austri”, tha Aliu.
Për gjendjen e të lënduarve që po trajtohen në Turqi, i pari i Ferizajt tha se vazhdon të jetë e rëndë, por me disa shenja përmirësimi.
“Gjendja e tyre vazhdon të jetë e rëndë, por me shenja të vogla të përmirësimit. Dje në mëngjes kam komunikuar me familjarët e të lënduarve që po trajtohen në Stamboll dhe gjendja është pak e shumë e rëndë. Ndërsa, shpenzimet për trajtimin e tyre po kryhen nga qeveritë respektive, janë me mbulim qind për qind nga qeveria austriake dhe ajo turke”, deklaroi Aliu.
Tutje, ai njoftoi se në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës po trajtohen tetë të lënduar dhe gjendja e tyre është stabile.
Nga shpërthimi i një bombole gazi që ndodhi të martën në qytetin e Ferizajt kanë mbetur të lënduar 44 persona, gjashtë prej të cilëve ishin në gjendje më të rëndë dhe kishin nevojë për trajtim jashtë vendit./Insajderi.com