Sot Kurti e Vuçiq takohen për herë të dytë

Sot Kurti e Vuçiq takohen për herë të dytë

Për sot në Bruksel është planifikuar takimi i dytë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq.

Më 15 qershor, Kurti e Vuçiq, ishin takuar për herë të parë. Nga ai takim nuk kishte pajtim në ndonjë pikë.

Kurti kishte propozuar katër pika te pala serbe, të cilat nuk ishin aprovuar.

I pari i Serbisë kishte thënë se “takimi ishte i vështirë”, dhe kishte shprehur dilema për sigurinë e serbve në Kosovë për shkak të “sundimit të Kurtit” në Prishtinë.

Një ditë më parë, ministri i Jashtëm serb, Nikola Selakoviq, kishte thënë në Vjenë se “nuk tërhiqen nga Kosova për integrim në Bashkimin Evropian”.

“Kurrë”, ishte përgjigjur Vuçiq, kur ishte pyetur nga Kurti se “kur do ta njohin Kosovën”.

Por, kreu i ekzekutivit kosovar, ka thënë ditë më parë se ‘do të ishte mirë që Kosova të njihet nga Serbia, por mund të jetojnë edhe pa njohjen e saj”.

Këto deklarata kanë reflektuar skepticëm  në përgjithësi që diçka konkrete mund të ndodh në takimin e 19 korrikut ndërmjet Kosovës e Serbisë. /Insajderi.com