Sonte (e enjte) do të mbahet manifestim i heshtur për të kujtuar Sebahate Morinën, 44-vjeçaren e cila më 14 mars në Prishtinë u vra nga ish-bashkëshorti i saj, Lulzim Sopi, i cili pastaj kreu vetëvrasje, përcjell Insajderi.
Manifestimi do të mbahet në sheshin “Skënderbe”, duke filluar nga ora 18:00, para objektit të Qeverisë së Kosovës dhe gjithandej.
“Ju ftojmë të na bashkoheni sonte (e enjte) prej orës 18:00 deri në ora 19:00 para ndërtesës së Qeverisë ose nëpër ballkonet tuaja, për të shprehur pikëllimin dhe mllefin duke ndezur qirinj dhe vendosur lule në kujtim të Sebahate Morinës, por edhe për të kërkuar llogaridhënie nga Policia e Kosovës, Prokurori i Shtetit dhe Qeveria e Kosovës që si zinxhir institucional po dështojnë t’i mbrojnë gratë nga pandemia e femicidit në shoqërinë tonë”, ka shkruar në Facebook, aktivistja Rina Kika, e cila është organizatore e këtij manifestimi.
“Për të shmangur grumbullimet, ftoheni të përkujtoni Sebahaten dhe të mos qëndroni më shumë se disa minuta. Ju lusim t’i respektoni rregullat e distancimit social dhe të mbani maskë në përputhje me rekomandimet e IKSHPK dhe të Ministrisë së Shëndetësisë”, ka shtuar Kika./Insajderi.com