
Kuvendi i Kosovës do të mblidhet të hënën ku në rënd dite do të jenë një mori pikash.
Seanca fillon nga ora 11:00, ku fillimisht do të ketë deklarime jashtë rendit të ditës e më pas edhe pyetje parlamentare.
Kështu ka njoftuar zyra për media e Kuvendit të Kosovës.
Seanca planifikohet të vijojë me shqyrtimin e parë të katër projektligjeve: Për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për festat zyrtare në Kosovë, Projektligjit për pijet e forta alkoolike, Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbeturina, si dhe Projektligjit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural.
“Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-069 për ratifikimin e Marrëveshjes në mes të Republikës së Kosovës Përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Qeverisë së Zvicrës përfaqësuar nga Departamenti Federal i Punëve të Jashtme përmes Agjencisë Zviceranë për Zhvillim dhe Bashkëpunim mbi programin Menaxhimi i Integruar i Burimeve Ujore në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Po ashtu pritet të bëhet shqyrtimi i dytë i Projektligjit për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit.
“Shqyrtimi i kërkesës së Fondit të Kursimeve Pensionale për miratimin e taksave vjetore për vitin 2022. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2020”.
Po ashtu do të bëhet debat edhe për çështjen e Ligjit për Pagat. /Insajderi.com