
Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot seancën plenare të radhës nga ora 10:00, njofton Insajderi.
Kjo seancë në rend dite do ta ketë shqyrtimin e dytë të Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për Kosovën për vitin 2021.
“Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-016 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.07/L-041 mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021”, thuhet në njoftimin për media të Kuvendit.
Ndërkaq, nga ora 14:00 do të vazhdojnë punimet me pikat e mbetura nga seancat e kaluara.
Të hënën, më 2 gusht, po ashtu, Kuvendi do të mblidhet në seancë të re, ku përveç pyetjeve parlamentare dhe deklarimeve jashtë rendit të ditës, pritet të debatohet lidhur me punën e 100 ditëve të para të Qeverisë Kurti.
Në këtë seancë pritet të shqyrtohet edhe Propozim-vendimi i Qeverisë për themelimin e institucionit të Operës së Kosovës si institucion i shërbimit publik, si dhe të zgjidhen kryesuesi dhe dy anëtarë të ZRRE-së, si dhe tre anëtarë të Komisionit të Pavarur të Mediave. /Insajderi.com