Procesi i rregullt gjyqësor ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, do të nis të enjten në Dhomat e Specializuara në Hagë, njofton Insajderi.com.
Gykimi ndaj tyre do të nisë në orën 9:30, teksa transmetimi në gjuhën shqipe nis me 45 minuta vonesë.
Në konferencën përgatitore të mbajtur para një muaji u bë e ditur se procesi i gjykimit ndaj Gucatit dhe Haradinajt synohet të përfundojë më 17 dhjetor të vitit 2021.
ZPS-ja parashikon mbajtjen e dy deri në tri seancave për fjalën hapëse me rreth katër orë material audio-vizual, në fillim të procesit të gjykimit.
Sipas trupit gjykues, prezantimi i ZPS-së duhet të përfundojë më 18 tetor 2021, ndërsa ZPS-ja duhet ta përfundojë marrjen në pyetje të dëshmitarëve të saj brenda katër seancave.
Për kohën e kundër-pyetjeve nga ana e mbrojtjes, trupi gjykues nuk ka përcaktuar një afat, por kryetari i trupit gjykues ka deklaruar se do të ndërhyjnë në kohë nëse është e nevojshme.
Akuza ndaj kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës e UÇK-së Hysni Gucati dhe ndaj nënkryetarit të saj Nasim Haradinaj u konfirmua më 14 dhjetor 2020.
Ajo mbështetet “në dyshimin e bazuar se midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, Gucati dhe Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, duke penguar punën e kësaj gjykate”.
Ata janë arrestuar më 25 shtator të vitit 2020 në Prishtinë dhe tani gjenden në qendrën e paraburgimit në Hagë. /Insajderi.com