Sot pritet të arrijë në Kosovë grupi i dytë i afganëve

Sot pritet të arrijë në Kosovë grupi i dytë i afganëve

Grupi i dytë me refugjatë afganë të cilët do të strehohen përkohësisht në Kosovë pritet të arrijë sot, e hënë. Por, koha e saktë nuk dihet ende.

Kështu ka bërë të ditur të dielën mbrëma ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

“Fluturimet e ardhshme pritet të ndodhin qysh nesër [sot], tashmë kemi konfirmimet e radhës për aterrimet e ardhshme dhe është çështje e organizimit të aleatëve sa u takon fluturimeve. Numri nuk është përcaktuar saktë…”, ka thënë Sveçla.

Sipas të njëjtit, Kosova do të strehojë përkohësisht rreth dy mijë refugjatë afganë.

Ndryshe, të dielën në aeroportin e Prishtinës ka arritur avioni i parë me 111 refugjatë afganë, të cilët do të vendosen në Kampin e Bechtel & Enkas në Ferizaj.

Pos Kosovës, edhe Shqipëria ka pranuar refugjatët afganë.

Strehimi i tyre është i përkohshëm, deri në përmbylljen e procesit të dokumentacionit për emigrim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo në ndonjë shtet të Bashkimit Evropian./Insajderi.com