Sot pritet të mblidhen shtatë komisione parlamentare

Sot pritet të mblidhen shtatë komisione parlamentare

Shtatë Komisone Parlamentare do të mblidhen të marten në Kuvendin e Kosovës, njofton Insajderi.

Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtje do të mblidhet në ora 10:00,  ku dhe pritet të diskutohet për zhvillimet në Policinë e Kosovës.

Po ashtu në ora 10:00, do të grumbullohet edhe Komisioni për Qeverisje Lokale, Administratë Publike, Zhvillim Rajonal dhe Media ku do të miratohet procesverbali i mbledhjes së mbajtur më 29.09.2020 si dhe do t shqyrtohet raporti i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin civil të Kosovës. Po ashtu në këtë komision do të shqyrtohet Raporti Vjetor i Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Në orën 11:00 do të mblidhet Komisioni për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike. Në këtë komisioni pritet të shqyrtohet në parim Projektligji nr.07/L-038 për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara në transaksionet elektronike. Mirëpo në këtë komision do të raportoj edhe ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi.

Kuçi do të raportoj për emërimet e fundit në bordet e përkohshme si dhe gjendjen dhe veprimet e Qeverisë së Kosovës për ndërmarrjen “Trepça” si dhe për funksionimin dhe operimin e hidrocentraleve. Të ftuar në komision do të jenë edhe nga bordi i ZRRE-së.

E në orën 13:00 do të mblidhet Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsion. Në këtë komision është i ftuar edhe ministri i Drejtësisë, Selim Selimi. Pikë e rendit të ditës është ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit nr.03/L-073 për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë.

Në këtë komision është paraparë të bëhet edhe formimi i Grupit të Punës për shqyrtimin e aplikacioneve për anëtar të KPK-së dhe KGJK-së.

Sot do të mblidhet edhe Komisioni për Arsim, Shkencë, teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë si dhe Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë. /Insajderi.com