Sot pritet të vazhdojë gjykimi ndaj Haki Rugovës

Sot pritet të vazhdojë gjykimi ndaj Haki Rugovës

Sot (e premte) në Gjykatën Themelore në Pejë pritet të vazhdojë gjykimi ndaj kryetarit të Komunës së Istogut, Haki Rugova.

Ai nga Prokuroria e Gjakovës akuzohet për veprën penale të konfliktit të interesit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, të ngritur më 26 mars të vitit 2018, Haki Rugova akuzohet se duke vepruar si kryetar i Komunës së Istogut, më 1 gusht 2014, ka nënshkruar kontratë me kompaninë “Ma-Con” sh.p.k. për ndërtimin e kanalizimit për fshatrat Cercë dhe Lubozhdë, raporton “betimi për drejtësi”.

Sipas aktakuzës, në momentin e lidhjes së kontratës për kryerjen e punëve ndërtimore në mes Komunës së Istogut dhe kompanisë “Ma-Con” sh.p.k. drejtor i firmës ka qenë Gani Rugova dhe çmimi i kontratës ka qenë 289.119.85 euro.

Organi i akuzës pretendon se me anë të këtyre veprimeve, i akuzuari Rugova, i ka mundësuar vëllait të tij, Gani Rugovës, interes financiar, andaj e akuzon se ka kryer veprën penale të konfliktit të interesit./Insajderi.com