Krerët e Listës Serbe kanë vendosur që të martën (sot) ta mbajnë një protestë, siç kanë thënë ata, “të madhe” të serbëve në veri të Mitrovicës për shkak të taksës prej 100 për qind që e ka vendosur Qeveria e Kosovës në produktet e Serbisë dhe të Bosnjës e Hercegovinës
I ashtuquajturi “Shtab i Krizës” i katër komunave veriore të Kosovës është mbledhur të hënën (dje) dhe ka diskutuar për gjendjen aktuale pas vendosjes së masave të Prishtinës në produktet serbe dhe ka konstatuar se artikujt jetësorë kryesorë janë duke u harxhuar, duke veçuar miellin dhe barnat. Mbledhjen e Shtabit të Krizës e ka kryesuar Goran Rakiq, kryetar i Listës Serbe dhe i komunës veriore të Mitrovicës, ndërsa është vendosur për protestën, siç u tha, “e madhe”, e cila do të mbahet të martën në mesditë në veri të Mitrovicës.
Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, u ka thënë medieve serbe pas takimit se të martën, para protestës, në katër komunat veriore të Kosovës do të mbahen mbledhjet e kuvendeve komunale me të vetmen pikë të rendit të ditës: “Situata politike dhe e sigurisë”. “Sa u përket masave dhe aktiviteteve të tjera të Shtabit të Krizës, ato të varen para së gjithash nga situata kur është në pyetje furnizimi, posaçërisht i Qendrës Spitalore, pastaj nga Qendra Studentore në veri të Mitrovicës dhe institucionet tjera, në veçanti nga ato nga të cilat varet furnizimi nga Serbia”, ka thënë Simiq.
Ndërkaq drejtori i Qendrës Spitalore në veri të Mitrovicës, Millan Ivanoviq, ka thënë se ekziston problemi i furnizimit me barna dhe me material sanitar për nevojat e institucionit që e drejton. “Ne kemi ndërmarrë të gjitha masat në Qendrën Spitalore, aktualisht të gjithëve u ofrojnë mbrojtje shëndetësore, funksionojmë, por nëse kështu vazhdon të jetë gjendja sigurisht që do të ketë probleme”, ka thënë ai.
Në mbledhjen e Shtabit të Krizës së katër komunave veriore kanë prezantuar edhe përfaqësues të Kishës, të Universitet Serb në veri të Mitrovicës, përfaqësues të studentëve, përfaqësues politikë të serbëve të Kosovës dhe disa nga afaristët e veriut të Kosovës.
Në veri të Mitrovicës, të hënën, për herë të parë nga vendosja e masave të Prishtinës ka arritur shtypi ditor nga Beogradi, mbase nëpërmes rrugëve ilegale, pasi që gazetat nuk janë shitur nëpër kioska, por ato u janë shpërndarë njerëzve nëpër banesa. Serbët kanë thënë se bukë, qumësht dhe prodhime të qumështit nuk kanë arritur fare në Zveçan, ka katër ditë, ndërkohë që në treg nuk ka pasur fare shitës të mishit nga fshatrat e Kopaonikut.
Kryetari i Zubin Potokut, Stevan Vulloviq, ka thënë se tani për tani ekzistojnë të gjithë artikujt e nevojshëm për konsum në komunën e Zubin Potokut. “Përpiqemi të gjendemi në mënyra të ndryshme që dyqanet të jenë të furnizuara mirë dhe që çmimet të mos ngrihen. Po e shohim se Prishtina nuk është e gatshme ta zgjidhë problemin në mënyrë paqësore, për çka ne angazhohemi. As që e kemi ndërmend të ndërmarrin kundërmasa ndaj Prishtinës, dëshirojmë të ulemi dhe të merremi vesh për të gjitha”, ka thënë Vulloviq.