Sot riatdhesohen eshtrat e 9 viktimave të masakrës në Rezallë

Sot riatdhesohen eshtrat e 9 viktimave të masakrës në Rezallë

Nëntë viktima të masakrës së Rezallës, trupat e të cilëve janë gjetur në varrezat masive të Kizhevakut në Serbi, do të riatdhesohen të enjten në Kosovë, njofton Insajderi.com.

Kështu ka bërë të ditur Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, ku u tregua se eshtrat e zhvarrosura në Kizhevak iu përkasin shtatë identifikimeve të reja të nga masakra e Rrezallës si dhe dy ribashkimeve me eshtrat e zhvarrosura më parë nga varreza masive në Rudnicë të Rashkës, në Serbi.

Gërmimet në varreza masive

“Viktimat e Masakrës së Rrezallës të zhvarrosura nga varreza masive në Kizhevak, Serbi, do të riatdhesohen në Republikën e Kosovës më 30 Shtator 2021”, u tha në njoftimin e këtij komisioni.

“Bazuar në raportet e identifikimit, eshtrat e zhvarrosura në Kizhevak iu përkasin shtatë identifikimeve të reja të nga masakra e Rrezallës si dhe dy ribashkimeve me eshtrat e zhvarrosura vite më parë nga varreza masive në Rudnicë, të Rashkës, Serbi”.

Këtyre viktimave do iu bëhen homazhe në pikën kufitare në Merdarë, ku i pranishëm pritet të jetë edhe kryeministri Albin Kurti.

Riatdhesimi i mbetjeve mortore të viktimave do të realizohet në bashkëpunim me përkrahjen e familjeve, Institutit të Mjekësisë Ligjore, Policisë së Kosovës (Sektorit për Krime Lufte), Ministrisë së Mbrojtjes dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq. /Insajderi.com