18 vjeçarja M.O., e cila dyshohet se u vra të dielën në Ferizaj, do të varroset sot në orën 13:00, transmeton Insajderi.com.
Kështu ka bërë të ditur vetë babai i viktimës, Muhabi Osmani, i cili tha se varrimi do të bëhet në varrezat e reja të qytetit, ndërsa pas ceremonisë do të mbahen të pame tri-ditore në shtëpinë e tyre.
“Varrimi do të mbahet sot në ora 13:00 në varrezat e reja të qytetit të Ferizajt. E pamja mbahet tri ditë në shtëpinë tonë rruga ‘Enver Topalli’”, tha ai.
M.O. ishte dërguar të dielen pa shenja jete në Qendren Emergjente në Ferizaj nga dy persona të cilët kishin ikur nga vendi i ngjarjes me një veturë me targa zvicerane.
Nga kamerat e sigurisë ishin kapur pamjet e të dyshuarve dhe fotografitë e tyre ishin shpërndarë në pikat kufitare dhe Drejtoritë Rajonale të Policisë.
Pas disa orësh policia ka arritur ta kap njërin nga dy të dyshuarit. A.S, u prangos të dielën në mbrëmje dhe i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Policia e Kosovës nga provat e siguruara ka arritur të konstatojë se krimi ishte kryer në një objekt banesor, derisa rasti u cilësua si “Vrasje e rëndë”.
Ndërsa i dyshuari kryesor D.K gjendet ende në arrati dhe po kërkohet nga policia. /Insajderi.com