Gjykimi ndaj deputetes së Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Jetmire Vrenezi, bashkë me të akuzuarit Islam Thaqi, Egzonë Morina-Thaqi, Arian Taraku, Isë Bislimaj, Shqipëron Krasniqi – të cilët po akuzohen për “Kepërdorim të pozitës zyrtare”, pritet të vazhdojë sot në Gjykatën Themelore në Prizren, transmeton Insajderi.
Seanca e fundit për këtë rast ishte caktuar të mbahej më 3 qershor, por e njëjta ishte shtyrë në mungesë të akuzuarës Vrenezi, e cila ishte e angazhuar në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Prokuroria Themelore në Prizren, më 20 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Islam Thaqit, Jetmire Venezit, Egzonë Morina-Thaqit, Arian Tarakut dhe Isë Bislimajt, të cilët po i ngarkon me veprën penale “Keqpërdorim i pozitës ose autoritetit zyrtar”.
Në aktakuzë thuhet se me 19 dhe 21 korrik 2019 në Prizren, në objektin “Abi Çarshia”, të akuzuarit Islam Thaqi, në cilësinë e drejtorit të Inspektoratit, Jetmire Verezi dhe Egzona Morina Thaqi, inspektore të ndërtimit, Arianit Taraku dhe Isë Bislimaj, zyrtarë në Drejtorinë e Inspektoratit, Shqipëron Krasniqi, përfaqësues ligjor në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën ose autoritetin zyrtar, i tejkalojnë kompetencat e tyre me qëllim të shkaktimit të dëmit “Abi” SHPK në Prizren.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit realizojnë rrënimin e aneks-objektit të “Abi Çarshia”, duke e ditur se i dëmtuari ka dorëzuar aplikacionin për legalizim.
Dëmi që pretendohet se i është shkaktuar “Abi Çarshisë” me rrënimin e ankesit në fjalë është në vlerë prej 69.729.66 euro. /Insajderi.com