Sot vazhdon gjykimi për korrupsion ndaj Pal Lekajt dhe të tjerëve

Sot vazhdon gjykimi për korrupsion ndaj Pal Lekajt dhe të tjerëve

Sot pritet të vazhdojë gjykimi për vepra penale që lidhen me korrupsionin për çka po akuzohet ish-kryetari i Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj dhe disa të tjerë.

Pal Lekaj akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, për kohën sa ka qenë në krye të kësaj komune, raporton ‘Betimi për Drejtësi’, transmeton Insajderi.

Bashkë me ish-kryetarin, për keqpërdorim të pozitës po akuzohet edhe Ismet Isufi dhe Gani Rama, ndërsa për mashtrim me subvencione dhe shmangie nga tatimi po akuzohet Veli Hajdaraga.

Në seancën e fundit të mbajtur me 29 qershor të këtij viti, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, ishte vendosur që të bëhej edhe një ekspertizë e re financiare, për çka seanca ishte shtyrë në kohë të pacaktuar derisa të bëhej ekspertiza në fjalë.

Ndërkohë, Prokuroria Speciale e Kosovës aktakuzën ndaj Pal Lekajt dhe të tjerëve e kishte ngritur më 10 prill 2016.

Para se aktakuza pjesërisht të hudhej poshtë, Pal Lekaj së bashku me Ismet Isufin, Pashkë Sylën, Bekim Sylën, Teuta Mejzinin dhe Dafina Thaqin akuzohen se duke vepruar si zyrtarë të Komunës së Gjakovës, kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare gjatë shpërndarjes së subvencioneve.

“Vendimet që i ka lëshuar i pandehuri Pal Lekaj, mbulojnë vetëm shumën prej 235.400 euro, ndërsa vendimet e tjera nuk kanë asnjë lloj baze juridike e që shkojnë deri në shumën prej 631.671.82 euro”, thuhet ndër të tjerash në aktakuzë. /Insajderi.com