Sot do të dihet nëse edhe më tej do të ketë orë policore në Maqedoninë e Veriut, ndërsa objektet hotelerike të mbesin të mbyllura, njofton Insajderi.
Në takimin që do ta ketë në mëngjes Komisioni për Sëmundje Infektive në vendin fqinj do të shqyrtohet gjendja epidemiologjike me Coronavirusin, pas çka mjekët do të japin rekomandim deri tek Shtabi i krizës së qeverisë së RMV-së nëse ka mundësi për lehtësimin e masave.
Sipas informacioneve nuk përjashtohet mundësia që vendimi i tillë të vazhdohet edhe për një javë deri më 27 prill, por se fjalën përfundimtare do ta ketë Qeveria e Maqedonisë së Veriut.
Autoritetet shëndetësore gjatë javës në disa raste kanë theksuar se po stabilizohet numri i të infektuarve të ri me COVID-19 dhe se presioni mbi spitalet po ulet.
Në 24 orët e kaluara 42 pacientë janë pranuar në qendrat COVID-19 në kryeqytetin e vendit fqinj, Shkup, ndërsa në tërë shtetin po mjekohen një mijë e 687 pacientë me Coronavirus, 100 më pak se para dhjetë ditëve. /Insajderi.com