Sovran Hoti, arsyeja pse Kosova u pranua në NETFLIX

Sovran Hoti, arsyeja pse Kosova u pranua në NETFLIX

Mjaftuan 37 mijë nënshkrime nga 200 mijë të parapara për rreth dy muaj, që pranimi i Kosovës në listën e shteteve të platformës më të madhe digjitale kinematografike, Netflix, të shihet si një hap i mbarë për Kosovën, sa i përket njohjes së shtetësisë nëpër fusha të ndryshme të arenës ndërkombëtare.

Iniciatori i peticionit për ndarjen e Kosovës me Serbinë në këtë platformë, Sovran Hoti, ka treguar për Gazetën Online Insajderi, se si ka ardhur deri te ideja e kësaj nisme, për çka tani thotë se ndjehet i kënaqur për punën që ka bërë.

“Kjo nismë ka ardhur nga bashkëbisedimi me kolegë dhe shokë në biseda të ndryshme, duke hasur në xhirollogari të secilit të Netflix që Kosova figuronte si vendndodhje nën Serbi dhe kodi telefonik i Kosovës +383, e as Kosova nuk figuronin në listën e shteteve të kësaj platforme”, ka thënë Hoti.

Ai tregoi se gjatë kësaj periudhe dy-mujore, kësaj kompanie i ka prezantuar të gjitha argumentet dhe faktet e nevojshme për vërtetësinë e Kosovës shtet.

“Vërtetimi nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë që pavarësia e Kosovës nuk shkel konventat ndërkombëtare, e që deri më herët tek Lufta dhe fakti që Serbia nuk ka juridiksion mbi Kosovën që nga përfundimi i Luftës më 11 qershor 1999”, janë disa nga argumentet që Hoti ka ndarë me redaksinë.

Por sipas tij, deri te kjo njohje nuk ka ardhur vetëm falë punës që ka bërë vetë ideatori i këtij peticioni. Hoti thotë se përshpejtimin e këtij procesi e kanë ndihmuar edhe reagimet në atë kohë të figurave kyçe në krye të shtetit e të diplomacisë, si dhe pushteti i katërt i shoqërisë.

“Natyrisht, çfarë ka ndihmuar ta përshpejtojnë këtë ishin disa faktorë, peticioni, reagimi i në atë kohë U.d. presidentes Osmani-Sadriu, letra zyrtare e Ministres së Punëve të Jashtme në atë kohë, znj, Haradinaj-Stublla dërguar CEO Reed Hastings të Netflix (e papublikuar deri dje), mediumet nga Kosova e Shqipëria, etj”.

I pyetur nëse është kontaktuar nga zyrtarët e lartë të vendit pas këtij vendimi të marrë nga NETFLIX, Hoti tha se nuk ka biseduar me askënd.

Ndonëse më e rëndësishmja për të ka ndodhur – që qëllimi është arritur edhe pa komunikimin me akterët politikë – Hoti ka një kërkesë për Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës.

“E gjitha çfarë shpresoj është që Ministria e Punëve të Jashtme të krijojë një njësi të veçantë për njohjen e sovranitet dixhital të Kosovës në arenën ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Pas dy muajsh që nga lansimi i peticionit për pranim të Kosovës në platformën Netflix, Kosova është shtuar në listën e shteteve me kodin telefonik +383.

Gjatë muajit shkurt, Sovran Hoti kishte nisur një peticion “Add Kosovo as a country in Netflix” si formë për të njohur sovranitetin e Kosovës në këtë platformë, që deri tani Kosova konfiguronte si pjesë e Serbisë. /Insajderi.com