Spanja e gatshme ta njohë Kosovën

Spanja e gatshme ta njohë Kosovën

Spanja është e gatshme ta njohë Kosovën si shtet, nëse kjo arrin marrëveshje me Serbinë, ka bërë të ditur qeveria spanjolle, njofton Insajderi.

“Qëndrimi ynë nuk është obstruksionist. Përkundrazi, është konstruktiv”, ka thënë Ministria e Punëve të Jashtme të Spanjës për “EUobserver”. “Pozicioni i Spanjës mund të përputhet me fjalinë: ‘asgjë pa një marrëveshje, gjithçka me të’, përfshirë njohjen politike (të Kosovës) dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike”.

Spanja është një nga pesë vendet evropiane që nuk ka njohur Kosovën.

Ky shtet kishte deklaruar se shpallja e pavarësisë më 2008 “ishte në kundërshtim me sundimin e ligjit dhe idenë tonë për Evropë tolerante e të larmishme”. Megjithatë, Spanja beson në “pashmangshmërinë e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, edhe me koncesionet e vështira që mund të implikojë”.

Deklarimi i ri i Spanjës vjen në kohën e rinisjes së bisedimeve për normalizim mes Kosovës e Serbisë, pas dy vjetësh pauzë./Insajderi.com