Spanja kërcënon me bojkotimin e Samitit të Zagrebit për shkak të Kosovës

Spanja kërcënon se do ta bojkotojë Samitin në Zagreb për shkak të pjesëmarrjes së Kosovës, pretendon Radio Evropa e Lirë në gjuhën serbe.

Spanja kërcënon me bojkotimin e Samitit të Zagrebit për shkak të Kosovës

Zyrtarët spanjoll, sipas pretendimeve të radios, kanë paralajmëruar nikoqirët se nuk do të marrin pjesë në tubim në të cilin Kosova ka status të barabartë me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor. Pretendohet se diplomatët nga vendet tjera anëtare të BE janë të informuar se Spanja nuk do të merr pjesë në Zagreb.

Qeveria spanjolle nuk dëshiron të publikojë zyrtarisht rreth mospjesëmarrjes së mundshme pasi ende po e pret thirrjen formale të organizatorit.

“Ende është herët të konfirmohet pjesëmarrja e kryeministrit sepse ende nuk kemi marrë thirrje nga kryesia e Kroacisë. Menjëherë pasi ajo të pranohet, ne do të kemi mundësi të konfirmojmë se a do të marrim pjesë”, shkruan në përgjigjen zyrtare të Përfaqësisë Permanente të Spanjës pranë BE.

Samiti i Zagrebit do të mbahet më 6 dhe 7 maj dhe do të jetë kulmi i kryesimit të Kroacisë e cila prej 1 janari e ka mandatin gjashtëmujor të kryesimit të BE.

Kryesimi i Kroacisë ka për qëllim që me këtë samit të konfirmojë perspektivën evropiane për gjithë vendet e rajonit.

Spanja është një prej pesë vendeve të BE të cilat nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, derisa 23 vendet tjera anëtare e kanë njohur. Qeveria e Madridit në të gjitha tubimet në nivelin evropian po e mohon pjesëmarrjen e barabartë të Kosovës, dhe edhe më herët ka bojkotuar tubimet e tilla./Insajderi.com.