Ambasadori i Spanjës në Serbi, Raul Bartolome Molina, deklaroi të hënën vendi i tij nuk do të ndryshojë qëndrim sa i përket pavarësisë së Kosovës.
Ai theksoi se Spanja nuk do ta njeh Kosovën nën asnjë presion pasi “e respekton ligjin”.
“Pozicioni i Spanjës në lidhje me territorin e Kosovës është një politikë zyrtare shtetërore, e harmonizuar me të gjithë aktorët politikë, pavarësisht se cila parti është në Qeveri në një moment të caktuar.
Nga ana tjetër, mosnjohja e shtetësisë së Kosovës bazohet në respektimin e rreptë të së drejtës ndërkombëtare dhe parimeve themelore të tij, siç është respektimi i integritetit territorial, të cilat janë shkelur nga deklarata e njëanshme e pavarësisë së territorit”, u shpreh Bartolome Molina në një intervistë për “Novosti”, transmeton Insajderi.
I pyetur se a po i bëhet presion Spanjës për të ndryshuar pozicionin e saj, ai mohoi dukë thënë se pozicioni i saj në lidhje me mosmarrëveshjen mbi territorin e Kosovës nuk është as kapriçioz dhe as arbitrar.
“Spanja nuk është nën asnjë presion për të ndryshuar pozicionin e saj ose për të vendosur ndonjë kusht për ta bërë këtë. Pozicioni i saj në lidhje me mosmarrëveshjen mbi territorin e Kosovës nuk është as kapriçioz dhe as arbitrar, por është rezultat i respektimit të së drejtës ndërkombëtare, siç e thashë më parë.
Sidoqoftë, është e vërtetë që mosnjohja shkakton probleme të konsiderueshme për Spanjën, veçanërisht në kontekstin e organizatave ndërkombëtare”, përfundoi ai./Insajderi.com