Specialët i dërgojmë prapë në Veri, sa herë që ka nevojë

Specialët i dërgojmë prapë në Veri, sa herë që ka nevojë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë për marrëveshjen për targat mes Prishtinës dhe Beogradit se targat e Serbisë do të mbulohen kur janë në territorin e Kosovës.

Përmes një reagimi në Facebook, kreu i ekzekutivit gjithashtu ka thënë se meqenëse bllokadat do të largohen atëherë nuk kanë pse Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës të qëndrojnë në pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak.

“Policia mbetet gjithnjë e gatshme për ndërhyrje në çfarëdo cenimi të njëjtë apo të ngjashëm në të ardhmen”, ka shkruar ndër tjerash Kurti.

Kurti tregoi se KFOR-i do t’i zëvendësojë Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës.

“Në javën e shkuar, Presidenti i Serbisë vuri katër kushte për takimin në Bruksel të përfaqësuesve tanë. Natyrisht që nuk ju plotësuan ato dhe dje u zhvilluan bisedimet në Bruksel”.

“Tash fillon epoka kur Serbia nis e mësohet me reciprocitet”, përfundoi Kurti.

Sipas marrëveshjes së arritur sot me ndërmjetësimin e BE-së, forcat e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës që janë vendosur në Jarinjë dhe Bërnjak për më shumë se 10 ditë, do të largohen, por njëhkohësisht do të largohen edhe bllokadat e vendosura në rrugë.

Kjo tërheqje do të ndodhë të shtunën, më 2 tetor në orën 08:00 dhe do të përfundojë maksimalisht deri në orën 16:00.

KFOR-i do të vendoset në këto dy pika kufitare para se të nisë largimi i sinkronizuar dhe do të qëndrojë për dy javë për të mbajtur ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë.

Marrëveshja e Brukselit.

Në pikën 2 të marrëveshjes, nga 4 tetori, ora 8:00, hyn në fuqi regjimi i letrave ngjitëse me të cilat do të mbulohen elementet shtetërore në targat e veturave të Kosovës dhe Serbisë.

Pika e tretë e kësaj marrëveshje thotë se do të krijohet një Grup Punues i përbërë nga përfaqësuesit e të tri palëve – të BE’së, Prishtinës dhe Beogradit, dhe që do të kryesohet nga BE’ja për të gjetur një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave bazuar në standardet dhe praktikat e Bllokut.

Takimi i parë i këtij Grupi të Punës do të mbahet më 21 tetor 20201 në Bruksel.

Brenda gjashtë muajve nga takimi i tij i parë, Grupi i Punës do të paraqesë gjetjet e tij mbi një format të përhershëm të nivelit të lartë të Dialogut. /Insajderi.com