Specialja fton edhe dy ish pjesëtarë të UÇK-së

Specialja fton edhe dy ish pjesëtarë të UÇK-së

Gjykata Speciale po vazhdon t’i ftojë ish pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për intervsitim, shkruan Gazeta Insajderi.

Specialja ka ftuar dy ish pjesëtarë të UÇK-së, nga Zona Operative e Drenicës.

Janë këta Abedin Daka nga fshati Ceravik i Komunës së Klinës, i cili është edhe vëlla i dëshmorit, Mirush Daka, si dhe Sherif Tahiri nga shtati Tërdevc i komunës së Drenasit.

Lajmin e ka konfirmuar kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati.

“Sot u njoftova se kanë marrë ftesë nga Gjykata Speciale bashkëluftëtarët Abedin Daka (vëlla i dëshmorit Mirush Daka) nga fshati Cerovik i komunës Klinë dhe Sherif Tahiri nga fshati Tërdevc i komunës Drenas, të dy këta pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Zona Operative e Drenicës. Ndihem krenar me veprat dhe sakrificat e ushtarëve të UÇK-së”, ka thënë Gucati, raporton Insajderi.

Më herët gjatë ditës, ftesë nga Specialja ka marrë edhe Ramiz Kukaj nga Korisha e Prizrenit.

Ndryshe, deri më tani, janë rreth 250 persona të cilët janë ftuar nga dhomat e specializuara për t’u intervistuar në Hagë.

Sipas kryetarit të OVL të UÇK-së Hysni Gucati, interesimi më i madh i prokurorëve të Dhomave të Specializuara ndërlidhet me veprimtarinë e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. /Insajderi