Deputeti i AAK-së Haxhi Shala do të paraqitet më 8 shtator në Gjykatën Speciale në Hagë, pasi kjo e fundit sot i ka dërguar ftesën në rolin e të dyshuarit, njofton Insajderi.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë Shala përmes një postimi në Facebook, i cili vazhdimin e dërgimit të ftesave për ish-pjesëtarët e UÇK-së nga Gjykata Speciale e quan të papranueshme dhe tendencë për njollosjen e luftës sonë çlirimtare.
Postimi i plotë:
E rastësishme apo jo, në 22-vjetorin e ditës së dëshmorëve të Brigadës 121, kur po përkujtojmë përvjetorin e rënies së bashkëluftëtarit tim Ismet Jashari- Kumanova dhe dëshmorëve tjerë të rënë në luftën e pastër e të drejtë të UÇK-së — Unë komandanti i kësaj brigade, sot kam pranuar ftesën nga Gjykata Speciale në Hagë, si i dyshuar, ku do të duhet të jem i pranishëm atje më 8 shtator të këtij viti.
Tendencat për njollosjen e luftës dhe vlerat e UÇK-së janë të papranueshme. Sidoqoftë unë do t’i përgjigjem kësaj ftese, sepse e njoh mirë luftën tonë dhe arsyen e saj./Insajderi.com