Specialja i vazhdon paraburgimin Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt

Specialja i vazhdon paraburgimin Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt

Gjykata Speciale ka refuzuar kërkesat për lirim nga paraburgimi të dy krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Gjyqtari i Procedurës Paraprake, Nicollas Guillou, ua ka vazhduar paraburgimin atyre me një vendim të nxjerrë gjatë ditës së djeshme, kur u mbajt edhe konferenca për ecurinë e çështjes ndaj tyre.

Në vendimin e tij, Guillou ka kërkuar nga palët që të dërgojnë parashtresat e tyre me shkrim për afatin tjetër të ankesës për lirim nga paraburgimi, ndërsa afati i dhënë është data 1 prill.

Ai ka kërkuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar që të dërgojnë deklarata, materiale audio/video nga oficerët që kanë arrestuar Nasim Haradinajn.

ZPS-së për këtë i është dhënë afat deri më 12 mars. /Insajderi.com