Gjykata Speciale ka kërkuar nga Policia e Kosovës garanci për lirimin e përkohshëm të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, përcjell Insajderi.com.
Përmes njoftimit, Dhomat e Specializuara kanë bërë të ditur se trupi gjykues ka urdhëruar Policinë e Kosovës që deri më 26 nëntor të ofroj informacione lidhur me lirimin e mundshëm të përkohshëm të tyre.
“Policia e Kosovës të ofrojë informacion lidhur me lirimin e mundshëm të përkohshëm të Gucatit dhe Haradinajt. Trupi gjykues II urdhëroi policinë e Kosovës që deri më 26 nëntor 2021 të ofroj informacion, ndër të tjera, lidhur me autorizimet dhe kapacitetet e saja lidhur me lirimin e mundshëm të përkohshëm të Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt”, thuhet ndër tjera në njoftim.
Ndryshe, Gucati dhe Haradinaj aktualisht janë duke u mbajtur në paraburgim në Hagë dhe akuza ndaj tyre u konfirmua më 14 dhjetor 2020.
Ajo mbështetet “në dyshimin e bazuar se midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, Gucati dhe Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, duke penguar punën e kësaj gjykate”./Insajderi.com