Specialja me mbi 40 mijë faqe material në rastin e ish-krerëve të UÇK-së

Specialja me mbi 40 mijë faqe material në rastin e ish-krerëve të UÇK-së

Konferenca e parë statusore ndaj katër anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të mbahet sot në orës 11:00, para gjyqtarit të procedurës paraprake të Dhomave të Specializuara në Hagë, transmeton Insajderi.

Sipas prokurorisë së Speciales, materiali mbështetës për aktakuzën e paraqitur për konfirmim, ka mbi 40 mijë faqe.

Për të konfirmuar aktakuzën e tyre, prokuroria është mbështetur në 153 dëshmitarë dhe synon që përsëri të mbështetet në shumicën e tyre gjatë gjykimit.

Në këtë konferencë, pritet që prokuroria të tregojë se çfarë lloji të provave disponon.

Sipas një parashtrese të Prokurorit të Specializuar dërguar Dhomave të Specializuara, të publikuar në faqën e tyre, prokuroria pretendon se për konfirmimin e aktakuzës ka disponuar me material prej rreth 43 mijë faqe, duke përfshirë raporte, deklaratat të dëshmitarëve, fotografi, e mbi 20 orë material audio-vizuel.

Sipas parashtresës së Prokurorisë, ajo parashikon sigurimin e hollësishëm të materialit me prova për mbrojtjen deri më 30 prill 2021, kurse shton se do të jetë në gjendje t’i ofrojë listën e plotë të dëshmitarëve deri më 31 maj 2021, me kusht që procedurat aktuale paraprake pranë Dhomave të Specializuara të jenë afër përfundimit dhe se në të njëjtën kohë është planifikuar fillimi i gjykimit.

“Prokuroria aktualisht parashikon shtimin e afërsisht 50 dëshmitarëve të tjerë në listën e dëshmitarëve për gjykimin, megjithëse numri përfundimtar i dëshmitarëve mund të ndryshojë, varësisht nga rezultati të hetimeve të mbetura”, thuhet në këtë parashtresë. /Insajderi.com