Gjykata Speciale ka intensifikuar procedurat gjyqësore ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sali Mustafa ndaj të cilit kjo gjykatë ka ngritur aktakuzë për “krime lufte” dhe që aktualisht po e mban në paraburgim, shkruan Insajderi.
Me datat 9, 10 dhe 11 qershor, ndaj Mustafës janë caktuar pesë seanca .
Seanca e para do të fillojë të mërkurën në ora 09:30 e cila do të jetë Konferencë përgatitore për gjykimin, ndërsa të enjten, Specialja ka planifikuar dy seanca ndaj Mustafës, por njëra ende nuk është konfirmuar.
“Prokurori k. Mustafës – Konferencë përgatitore për gjykimin 09:30 (mbetet për t’u konfirmuar)”, thuhet në njoftimin e Speciales, derisa është konfirmuar një seancë e mbyllur (ex parte) në ora 14:30.
Njëlloj qëndron situata edhe me të premten, një seancë e planifikuar ‘ex parte’ dhe e mbyllur ndaj Mustafës në ora 09:30 nuk është konfirmuar ende, por në ora 11:30 do të ketë një seancë të mbyllur ndaj tij, gjithashtu ‘ex parte’(Procedimi Ex Parte është një seancë gjyqësore pa praninë e të dy palëve).
Aktakuza kundër Mustafës u konfirmua më 12 qershor 2020 dhe versioni i fundit u bë publik më 28 shtator 2020.
Aktakuza e ngarkon Mustafën “me përgjegjësi penale individuale dhe përgjegjësi penale si epror për krimet e kryera nga disa anëtarë të UÇK-së kundër personave të ndaluar në kompleksin e ndalimit në Zllash”.
.Mustafa u arrestua dhe u transferua në njësinë e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 24 shtator 2020./Insajderi.com