Specialja publikon akuzat e plota – 236 faqe për Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin

Specialja publikon akuzat e plota – 236 faqe për Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin

Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale kanë publikuar vendimin e aktakuzës së plotë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët akuzohen për krime lufte, transmeton Insajderi.

Aktakuza ndaj tyre është e përpiluar në 236 faqe.

Në pikat e aktakuzës, ndaj tyre rëndon aktakuza për krime, vrasje, tortura në lokacione si Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Volljakë, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Llapashticë, Majac, Zllash dhe të tjera, raporton Koha.

Në këtë version të plotë, Dhomat e Specializuara kanë publikuar data, vende dhe raste specifike, sipas saj, të kryerjes së krimeve.

Në pikën 371 të kësaj aktakuze, thuhet se mes datave 25 dhe 26 korrik të vitit 1998, pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pas një sulmi në Llapushnik, kishin arrestuar 30 persona dhe më pas i kishin dërguar në burgun e Llapushnikut.

“Me të arritur në një pyll, pjesëtarë të UÇK-së kanë liruar 20 të burgosurit nga ky grup prej 30 personash dhe kanë qëlluar ndaj 10 të tjerëve”, thuhet ndër të tjera në aktakuzë.

Përveç kësaj, në bazë të konkluzioneve të nxjerra nga Dhomat e Specializuara, krime të tilla pretendohet se janë kryer në qendra të tjera të paraburgimit dhe në veri të Shqipërisë, kundër të paktën 392 individëve, nga prilli i 1998-s deri në gusht të 1999-s. /Insajderi.com