Rrustem Mustafa është i vetmi kosovar që e ka bërë të ditur publikisht se është ftuar për intervistë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, me seli në Hagë. E, në Dhomat e Specializuara nuk e kanë mohuar pranimin e aktakuzave.
Mustafa ka qenë një prej komandantëve të UÇK-së, ndërsa ai do të udhëtojë në Hagë për intervistën e planifikuar për datën 14 janar të vitit të ardhshëm. Ish-komandantin e Zonës Operative të Llapit, një gjykatë vendore e kishte dënuar për krim lufte në vitin 2013.
Në anën tjetër, Zyra e Prokurorit të Specializuar është e autorizuar të hetojë dhe të ndjekë penalisht krimet e pretenduara të UÇK-së, të cilat përmenden në Raportin e senatorit Dick Marty, dokument i miratuar në 2011-n edhe nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës. Ndonëse ka kaluar kaq kohë prej nxjerrjes së raportit, akoma nuk ka një aktakuzë të shpallur.
Në organin e akuzës kanë refuzuar të japin informacione në lidhje me numrin e të dyshuarve, viktimave e dëshmitarëve të ftuar për intervistë.