Spitalet, ende pa barna

Spitalet, ende pa barna

Ministria e Shëndetësisë nuk po ia del t’i mbulojë të gjitha kërkesat e pacientëve për barna nga lista esenciale, si dhe për material shpenzues. Edhe pse ditë më parë është rritur furnizimi me barna në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), spitalet e përgjithshme vazhdojnë të kenë mungesa të produkteve medicinave.

Spitalet e përgjithshme po ballafaqohen me mungesa të barnave nga lista esenciale, si dhe me material shpenzues. Gjatë këtij viti furnizimi me barna dhe me material shpenzues ka qenë nën 30% dhe kjo gjë u ka kushtuar pacientëve, të cilët kanë mbajtur barrën e shpenzimeve për të gjitha produktet medicinale që u janë nevojitur për trajtim mjekësor.

Edhe pse muajin që lamë pas Ministria ka furnizuar QKUK-në dhe spitalet e përgjithshme me barna nga lista esenciale, ato përsëri nuk po i përmbushin të gjitha kërkesat e pacientëve, shkruan zeri.

Drejtori i Spitalit të Prizrenit, Afrim Avdaj, ka thënë se furnizimi me barna nga lista esenciale nga tremujori i parë i këtij viti e deri më 7 qershor në këtë spital ka qenë 29,47%. Ndërsa furnizimi deri më 27 qershor në këtë spital ka qenë 30,20%.

Sipas statistikave, furnizimi me barna ka qenë 46,05%, ndërsa furnizimi me material shpenzues 18,74%.