Spitali i Mitrovicës tregon gjendjen shëndetësore të arkëtares që u ther me thikë

Një grua me probleme mendore ka sulmuar me thikë arkëtaren e marketit “Emona Center” në Mitrovicë. Punëtorja ka marrë lëndime të lehta dhe gjendja e saj është e mirë.

Zyrtarja për informim në Spitalin e Mitrovicës për Gazetën Online Insajderi ka thënë se gjendja e viktimës është e mirë dhe se pas marrjes së ndihmës mjekësore është lënë e lirë për të shkuar në shtëpi, shkruan Insajderi.

“Një grua me probleme psikike ka sulmuar një punëtore të Emona Center që punon në arkë. Ka pas lëndime të lehta ndërsa gjendja e saj është e mirë dhe tashmë është liruar në shtëpi”.

“Nuk ka pas lëndime për tu ndalur në spital. Ndërsa pala tjetër gruaja me probleme psikike është dërguar për në Prishtinë”, kanë thënë nga zyra për informim e këtij spitali.

Më herët për Insajderin, Avni Zahiti nga Policia e Kosovës ka thënë se e dyshuara për sulm është arrestuar.

“Bëhet fjalë për një rast që është inicu si lëndim trupor. Një e grua dyshohet se e ka sulmuar një punëtore në orar të punës në një qendër tregtare në Mitrovicë. Ngjarja ka ndodhë rreth orës 14:00 ndërsa e dyshuara tashmë është arrestuar”, ka treguar Zahiti.