Sqarim nga Prokurori i Shtetit: Nuk ka pasur takim sy më sy me prokuorin serb!

Sqarim nga Prokurori i Shtetit: Nuk ka pasur takim sy më sy me prokuorin serb!

Sot një pjesë e mediave kanë raportuar shkrimin me titull: “Kryeprokurori i SHBA-së ‘bashkon’ në Prishtinë prokurorin e Serbisë dhe të Kosovës.

Prokurori i Shtetit sqaron opinionin se shkrimi në fjalë është i pasaktë. Nuk ka pasur asnjë takim në katër sy mes ndonjë prokurori serb dhe prokurori nga Kosova.

Prokuroi i Shtetit njofton se kryeprokurori i SHBA-së, Jef Sessions nuk ka ndërmjetësuar në asnjë takim të këtij lloji dhe në të vërtetë një takim i tillë i raportuar, nuk ka ndodhur.

“Rrjedhimisht, meqenëse nuk ka pasur takim të tillë, natyrisht se as nuk është biseduar për ndonjë çështje të caktuar. Pra, është i pavërtetë lajmi se është mbajtur takimi i pretenduar dhe kinse është biseduar rreth vrasjes së politikanit serb, Ivanoviç”, thuhet në komunikatë.

Prokurori i Shtetit informon opinionin se në të vërtetë, më 24 prill 2018, Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi, me ftesë të Prokurorit të Përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Jeff Sessions, ka marrë pjesë në një tryezë të karakterit regjional e cila është mbajtur në Zagreb të Kroacisë.

Pjesëmarrës në këtë tryezë kanë qenë: Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-ve, kryeprokurorët dhe drejtorët e policive nga të gjitha shtetet e rajonit, si Shqipëria, Bosnje e Hercegovina, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia.

Gjatë po asaj nate, është shtruar darkë nga organizatori dhe në këtë darkë kanë marrë pjesë në një tryezë të gjithë të ftuarit e lartë shënuar. Ka pasur biseda rasti mes pjesëmarrësve, por në asnjë rast, në formën dhe temën për të cilën kanë raportuar mediat gjatë ditës së sotme.