
Viola von Cramon, deputetja gjermane në Parlamentin Evropian ka sqaruar postimin e saj të mëhershëm rreth vendimeve të Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës për masat kufizuese.
Në një postim në profilin e saj në Twitter, von Cramon ka shkruar ndalesat për kufizim janë në të gjithë botën si në Kosovë edhe në Gjermani, përcjell Gazeta Insajderi.
“Sqarime rreth tweet-it tim më herët: Njerëzit duhet të qëndrojnë në shtëpi. Ndalesa e plotë. Në Kosovë dhe Gjermani dhe kudo tjetër. Pavarësisht që lejohet, thjesht qëndroni në shtëpi. Është e vështirë, por ne e dimë se kjo është e nevojshme”, ka shkruar von Cramon.
Tutje deputetja gjermani i ka bërë thirrje të gjitha partive politike në Kosovë që të bashkëpunojnë dhe të dakordohen për gjendjen me koronavirus.
“Partitë politike në Kosovë duhet të lënë mënjanë dallimet dhe të bien dakord mbi një bazë të përbashkët juridike për të gjitha masat e nevojshme për të përmirësuar gjendjen me korona. Opozita dhe partitë qeverisësë duhet të gjejnë zgjidhje së bashku tani, është për popullin tuaj në Kosovë”, ka shkruar ajo.
Cramon ka shkruar po ashtu se “Tani ka ende kapacitete në dispozicion në Kosovë por situata po përkeqësohet, duhet të mbështesim punonjësit e kujdesit shëndetësor. Ata po punojnë shumë dhe ne duhet të shmangim më keq, por pa qytetarët dhe politikanët që veprojnë me përgjegjësi të plotë, mjekët nuk mund të bëjnë asgjë”.
1/3 clarification for my earlier tweet: people need to stay at home. full stop. In #Kosovo in #Germany and everywhere. Regardless what is allowed, just stay home. It’s hard. But we know it is necessary #covid #COVID19 # stayathome
— Viola von Cramon (@ViolavonCramon) April 15, 2020
Para disa ore, Viola von Cramon, ka reaguar për masat e reja kufizuese për qytetarët të cilat i ka prezantuar para dy ditësh Ministria e Shëndetësisë.
Përmes një postimi në llogarinë e saj në Twitter, deputetja Cramon ka shkruar rregullat e reja duhet të jenë në pajtueshmëri me Kushtetutën e Kosovës, përcjell Gazeta Insajderi.
Sipas deputetes rregullat të cilat shkaktojnë konfuzione dhe nuk janë në pajtim me Kushtetutën krijojnë dëme të mëdha.
“Rregullat e kufizimit të lëvizjes duhet të jenë në pajtueshmëri me rregullat e Kushtetutës së Kosovës. Rregullat që krijojnë më shumë konfusion dhe që s’janë në pajtim me Kushtetutën mund të shkaktojnë më shumë dëm. Shtetet tjera kanë caktuar kohën që mund të shpenzosh jashtë, por jo edhe orën se kur mund të dalësh jashtë. Qeveria duhet të kthehet prapa tek bazat kushtetuese”, ka shkruar von Cramon.
Ministria e Shëndetësisë sipas masave të reja, ia ka kufizuar lëvizjen qytetarëve me vetëm 90 minuta në ditë sipas numrit të parafundit të numrit personal të letërnjoftimit. /Insajderi.com