Në Tetovë, deri më tash komuna ka ndërruar katër lokacione për stacion të ngarkim-shkarkimit të mbeturinave. Deri më tash, asnjëra prej tyre nuk ka punuar sipas standardeve ekologjike
Tetovë – Është rritur sasia e mbeturinave tek stacioni për ngarkim-shkarkim i ndërmarrjes publike komunale në Tetovë, shkruan Insajderi.
Stacioni për ngarkim-shkarkim ndodhet në fshatin Falishtë. Ky është lokacioni i katërt për ngarkim dhe shkarkim të mbeturinave në komunën e Tetovës, por edhe ky lokacion si të mëhershmit punon pa standarde.
Kësisoj, në vend se ky stacion të zgjidhte problemin me grumbullimin dhe transportin e mbeturinave, shkaktoi probleme të tjera.
Mbeturinat që grumbullohen në qytet, para se të dërgohen në deponinë Drislla, hidhen në tokë, duke ndotur tokën dhe ujërat nëntokësorë.
Drejtori i Ndërmarrjes Publike Komunale “Tetova”, Xhelal Ceka, thotë se nuk janë në gjendje që të ndërtojnë një stacion të mbyllur për ngarkim dhe shkarkim të mbeturinave.
Sipas tij, shkak për këtë është sasia e madhe e mbeturinave që grumbullohen gjatë ditës.
“Me atë sistem kemi punuar, por ai sistem nuk funksionon, sepse gjatë ditës kemi sasi të mëdha të mbeturinave prandaj edhe punojnë në këtë mënyrë”, shprehet Ceka.
Në ndërkohë, nëpër shumë lagje të Tetovës ende mund të hasen mini-deponi të egra.
Pamje me mini-deponi janë hasur sërish para varrezave ortodokse në lagjen “Potok” në Tetovë.
Në këtë vend edhe krahas shumë reagimeve të banorëve që të merren masa për hedhjen e mbeturinave, megjithatë ky trend vazhdon.
Sipas banorëve, krahas banorëve nga lagjet përreth, në këtë vend mbeturina hedhin edhe banorë të malësisë së Tetovës.
Në Tetovë, deri më tash komuna ka ndërruar katër lokacione për stacion të ngarkim-shkarkimit të mbeturinave. Deri më tash, asnjëra prej tyre nuk ka punuar sipas standardeve ekologjike.
Një problem në vete është se në këtë stacion sillen mbeturina të ndryshme të cilët vështirë mund të selektohen, sidomos mbeturinat nga materialet ndërtimore.
Por, nëpër qytet këto lloj mbeturinash hasen në shumë skaje të rrugëve të Tetovës.
Nga NPK-ja, apelojnë që qytetarët të kenë më shumë kujdes dhe thonë se qytetarët duhet që këto lloj mbeturinash t’i dwrgojnë në stacionin për ngarkim -shkarkim në fshatin Falishtë.
“Mbeturinat që nuk janë ato të zakonshme qe hidhen në kontejner duhet që qytetarët t’i dërgojnë në stacionin për ngarkim – shkarkim në Falishtë. Apelojmë që këso mbeturina mos të hidhen gjithandej, sepse nuk është në kompetencë të ndërmarrjes që të transportojmë mbeturina të këtilla. Ne jemi përgjegjës vetëm për mbeturinat e amvisërive”, thonë nga Ndërmarrja Publike Komunale në Tetovë.
Në të gjitha katër lokacionet që kanë funksionuar si stacione për ngarkim-shkarkim ka pasur probleme dhe gjithnjë janë grumbulluar me tonelata mbeturina për shkak të defekteve të makinerisë për selektim të mbeturinave, por edhe për shkak të sasive të mëdha të cilët nuk mund të transportohen menjëherë për në deponinë Drislla në Shkup.
Problem në vete është se këta mbeturina nuk janë hedhur në deponinë Rusino një kohë të gjatë për shkak të ndalesës nga ana e banorëve deri në plotësimin e kushteve që të ketë një deponi moderne.
Problemi me mbeturinat nuk është vetëm në këtë stacion, por edhe nëpër qytet ku ka mini-deponi të egra, sidomos në hyrje-daljet e qytetit për në Shkup përgjatë rrugës së vjetër./Insajderi.com