Stafi shëndetësor përparësi në vaksinim edhe pas ardhjes së kontigjentit të dytë të vaksinave

Stafi shëndetësor përparësi në vaksinim edhe pas ardhjes së kontigjentit të dytë të vaksinave

Stafi shëndetësor do të vazhdojë të jetë primar si kategori për t’u vaksinuar kundër Coronavirusit, ndonëse një mundësi të tillë e patën edhe me ardhjen e kontingjentit të parë në Kosovë, njofton Insajderi.

Disa prej mjekëve të cilët refuzuan të marrin vaksinën ‘AstraZeneca’ dhe ata të cilët nuk ishin në gjendje të vaksinohen, do të mund të marrin vaksinën pas javës së ardhshme, me ardhjen e kontigjentit të dytë të vaksinave anti-COVID.

“Numri i punonjësve shëndetësorë të vaksinuar deri tani është rreth 5.000. Kontingjentet e radhës të vaksinave kundër COVID-19 do të vijnë në fillim të majit dhe në vaksinim do të përfshihen grupet e parapara sipas Planit të vaksinimit, duke u dhënë mundësi vaksinimi edhe punonjësve shëndetësorë, të cilët për arsye të ndryshme nuk kanë mundur të vaksinohen gjatë fazës së parë”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Nga rreth 15 mijë persona, staf shëndetësor sa janë në Kosovë, deri tani sipas MSH-së, vetëm rreth pesë mijë prej tyre janë vaksinuar. Fajin për këtë Oda e Mjekëve të Kosovës ua ka lënë institucioneve shëndetësore, duke thënë se nuk kanë dhënë informacione të mjaftueshme për të qartësuar se kush mund të vaksinohet.

Pleurat Sejdiu, nga kjo odë, thotë se ishte dashur që Instituti i Shëndetit Publik e profesionistët e kësaj lëmie të jenë më të qartë.

“Disa prej tyre kanë edhe logjikën e vet, pikërisht për këto është dashtë që Instituti dhe profesionistët e lëmit do të duhej të dilnin me një shpjegim që do të duhej të ishte edhe popullatës”, tha Sejdiu. /Insajderi.com